Shqipëria është prodhuesi më i madh i naftës në Rajon dhe gjithashtu ka densitetin më të lartë të burimeve ujore për prodhimin e energjisë elektrike, por familjet shqiptare shpenzojnë më shumë se, ato në Rajon nga buxheti mujor për faturat e energjisë, gazit dhe konsumin e karburanteve vërejti Banka Botërore në rishikimin e fundit ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Për shkak të nivelit të më lartë të varfërisë, familjet në Shqipëri kanë shpenzime shumë të larta për konsumin e produkteve energjetike në krahasim me mesataren kombëtare. Banka evidentoi se, 20% e familjeve me të ardhurat më të ulëta në vend çojnë nga buxheti i tyre për faturat produkteve energjetike 12% të shpenzimeve mujore, në një kohe që mesatarja kombëtare për këto shpenzimeve është 6%.
BB evidenton se mesatarizimi i shpenzimeve mujore në raportimet e INSTAT nuk pasqyron shpenzimet e familjeve të varfra. Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur. Shqipëria është e vetmja në Rajon që ka diference të lartë në shpenzimet për produktet energjetike ndërmjet familjeve të varfra dhe mesatares kombëtare.
Duke marrë në konsideratë nivelin mesatar për shpenzimet mujore në grupin e energjisë, Shqipëria ka nivelin më të ulët në raport me Rajonin, por për familjet në 20 përqindëshin e poshtëm te të ardhurave vendi ynë ka nivelin më të lartë të shpenzimeve në Rajon.
Banka vëren se të gjitha vendet e Rajonit janë të cenueshme ndaj luhatjeve të çmimit të naftës bruto dhe produkteve e naftës.
Nafta luan një rol të rëndësishëm në përzierjen energjetike të të gjitha vendeve, për shkak të përdorimit të gjerë për transport, por vetëm Shqipëria dhe Serbia janë prodhues të naftës në Rajon, evidenton BB.
Si pasojë e nivelit të ulët të prodhimit të brendshëm dhe kapacitetit të kufizuar të rafinimit, vendet e Ballkanit mbështeten në importet e naftës dhe produkteve të saj për një pjesë të madhe të konsumit të tyre, gjë që i ekspozon ndaj rreziqeve që lidhen me luhatjet e çmimit.
Banka vuri në dukje se çmimet e naftës janë relativisht të larta në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Mali i Zi (rreth 1.7 euro për litër). Në Shqipëri nafta aktualisht tregtohet me gati 2 euro për litër (shënim i Monitor).
Institucioni financiar ndërkombëtar vë në dukje se, paaftësia për të mbajtur shtëpitë ngrohte dhe incidenca e borxheve dhe vonesave të faturave janë më shumë et zakonshme në mesin e familjeve me të ardhura të ulëta.
Për shembull, 48 për qind e familjeve në decilin më të ulët të të ardhurave në Serbi dhe 65 për qind në Mal të Zi kanë detyrime të prapambetura në shërbimet komunale. Gjithashtu 43 % e familjeve më të ardhura të ulëta në Shqipëri përballen me vonesa të pagesave të faturave./Monitor