“Duhet të them se situata po ndryshon në mënyrë dramatike,” deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në konferencën e tij për shtyp në fund të vitit, në dhjetor. “Ka lëvizje përgjatë gjithë vijës së frontit. Çdo ditë.”
Në Ukrainën lindore, makina e luftës e Moskës po përparon gradualisht milje pas milje nëpër fushat e hapura të Donbasit, duke rrethuar dhe pushtuar fshatra e qytete.
Disa civilë po largohen para se lufta t’i arrijë. Të tjerë presin derisa predhat fillojnë të shpërthejnë përreth tyre për të mbledhur ato që mund të marrin me vete dhe për të hipur në trena e autobusë për në vende më të sigurta, më në perëndim.
Rusia po fiton terren më shpejt se në çdo kohë që nga fillimi i pushtimit të saj të plotë në shkurt 2022, pavarësisht rekordit mbresëlënës të sulmeve asimetrike të mirëpublikuara të Kievit kundër fqinjit të saj të fuqishëm.
Ndërsa pushtimi arrin fundin e vitit të tretë, me një kosto të vlerësuar prej një milion njerëzish, të vrarë ose të plagosur, Ukraina duket se po humbet.
Ndërkohë, në Uashingtonin e largët, Donald Trump-i i paparashikueshëm, i njohur për mungesën e dashurisë për Ukrainën apo për liderin e saj, është gati të marrë pushtetin në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo duket si një pikë kthese. Por, a mund të jetë viti 2025 ai kur ky konflikt shkatërrues evropian më në fund të përfundojë – dhe nëse po, si mund të duket fundi i lojës?
“Të flasësh për negociata është një iluzion”
Premtimi i Trump-it për ta përfunduar konfliktin brenda 24 orësh nga marrja e pushtetit është një mburrje tipike madhështore, por vjen nga një njeri që duket qartë se ka humbur durimin me luftën dhe përfshirjen e kushtueshme të Amerikës.
“Numri i ushtarëve të rinj të vdekur që qëndrojnë të shtrirë në fusha kudo, është tronditës,” ka thënë ai. “Është çmenduri ajo që po ndodh.”
Por administrata e re amerikane përballet me dy sfida, sipas Michael Kofman-it, anëtar në Institutin për Paqe Ndërkombëtare “Carnegie”.
“Së pari, ata do të trashëgojnë një luftë në një trajektore shumë negative, pa shumë kohë për të stabilizuar situatën,” tha ai në dhjetor. “Së dyti, ata do ta trashëgojnë atë pa një teori të qartë për sukses.”
Presidenti i zgjedhur ka dhënë disa tregues gjatë intervistave të fundit se si synon të trajtojë luftën.
Ai i tha revistës Time se nuk ishte dakord “ashpërsisht” me vendimin e administratës së Biden-it, në nëntor, për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë të furnizuara nga SHBA për të goditur objektiva brenda Rusisë.
“Ne thjesht po e përshkallëzojmë këtë luftë dhe po e bëjmë më keq,” tha ai.
Më 8 dhjetor, ai u pyet nga NBC News nëse Ukraina duhet të përgatitet për më pak ndihmë.
“Me shumë mundësi, po”, u përgjigj ai.
Por për ata që kanë frikë, siç kanë shumë, se lideri i ri i Amerikës është i prirur të largohet nga Ukraina, ai dha shenja sigurie. “Nuk mund të arrini një marrëveshje nëse e braktisni, sipas mendimit tim,” ka thënë ai.
E vërteta është: qëllimet e Trump-it mbeten të qarta.
Dhe për momentin, zyrtarët ukrainas hedhin poshtë çdo bisedë për presion, ose sugjerimin se ardhja e Trump-it do të thotë domosdoshmërisht që bisedimet për paqe janë të afërta.
“Ka shumë biseda për negociata, por është një iluzion,” thotë Mykhailo Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës së presidentit Zelensky.
“Nuk mund të ketë proces negociatash sepse Rusia nuk është detyruar të paguajë një çmim të mjaftueshëm për këtë luftë.”
‘Ushtrimi i zgjuar strategjik’ i Zelenskyt
Pavarësisht dyshimeve të Kievit për të negociuar ndërkohë që forcat ruse vazhdojnë përparimin e tyre të pandalshëm në lindje, është e qartë se presidenti Zelensky është i etur të pozicionohet si një njeri me të cilin Trump mund të bëjë biznes.
Lideri ukrainas nxitoi të përgëzonte Trump-in për fitoren e tij zgjedhore dhe humbi pak kohë duke dërguar zyrtarë të lartë për të takuar ekipin e presidentit të zgjedhur.
Me ndihmën e presidentit francez Emmanuel Macron, Zelensky siguroi gjithashtu një takim me Trump-in kur të dy burrat vizituan Parisin për rihapjen e katedrales Notre Dame.
“Ajo që po shohim tani është një ushtrim shumë i zgjuar strategjik nga presidenti Zelensky,” tha ish-ministri i tij i jashtëm Dmytro Kuleba në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë të SHBA-së në dhjetor.
Zelensky, tha ai, po “sinjalizon konstruktivitet dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me presidentin Trump.”
Me pak shenja të dukshme se Kremlini po bën lëvizje të ngjashme, qeveria në Kiev duket se po përpiqet të paraprijë situatën.
“Pasi që Trump nuk e ka shpjeguar plotësisht se si do të veprojë, ukrainasit po përpiqen t’i japin atij disa ide që ai mund t’i paraqesë si të tijat,” thotë Orysia Lutsevych, kreu i Forumit të Ukrainës në Chatham House.
“Ata e dinë si të punojnë me atë ego.”
Plani i Fitores: skenarë të mundshëm për përfundimin e luftës
Edhe para zgjedhjeve në SHBA, kishte shenja që Zelensky po kërkonte mënyra për t’a bërë Ukrainën më tërheqëse si një partner i ardhshëm për një president të zgjedhur si Trump, i cili është hezitues për të vazhduar mbulimin financiar të sigurisë evropiane.
Si pjesë e “Planit të Fitores”, të prezantuar në tetor, Zelensky sugjeroi që trupat ukrainase të kalitura në luftë mund të zëvendësojnë forcat amerikane në Evropë pasi lufta me Rusinë të përfundojë. Ai gjithashtu ofroi perspektivën e investimeve të përbashkëta për të shfrytëzuar burimet natyrore të Ukrainës, duke përfshirë uraniumin, grafitin dhe litiumin.
“Burime strategjike të tilla,” paralajmëroi Zelensky, “ose do ta forcojnë Rusinë ose Ukrainën dhe botën demokratike.”
Por elementë të tjerë të Planit të Fitores të liderit ukrainas – anëtarësimi në NATO dhe thirrja për një “paketë gjithëpërfshirëse të parandalimit strategjik jo-bërthamor” – duket se janë pritur me një reagim të vakët nga aleatët e Kievit.
Anëtarësimi në NATO, në veçanti, mbetet një çështje e ndjeshme, siç ka qenë shumë përpara pushtimit të plotë të Rusisë.
Për Kievin, është mënyra e vetme për të garantuar mbijetesën e ardhshme të vendit kundër një armiku rus grabitqar të vendosur për të nënshtruar Ukrainën.
Por, pavarësisht deklarimit korrikun e kaluar se Ukraina ishte në një “rrugë të pakthyeshme drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO,” aleanca mbetet e ndarë, me SHBA dhe Gjermaninë ende kundër dhënies së një ftesë.
Presidenti Zelensky ka treguar se nëse do të jepej një ofertë për anëtarësim që do të zbatohej për të gjithë vendin, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, ai do të ishte i gatshëm të pranonte që fillimisht të zbatohej vetëm për territoret nën kontrollin e Kievit.
Kjo, tha ai për Sky News në nëntor, mund të përfundojë “fazën e nxehtë” të luftës, duke lejuar një proces diplomatik për të adresuar çështjen e kufijve përfundimtarë të Ukrainës.
Por, shtoi ai, një ofertë e tillë ende nuk është bërë.
Pozita e paqëndrueshme e Kievit
Nëse jo NATO, atëherë çfarë? Me mundësinë e bisedimeve të paqes të udhëhequra nga Trump dhe Ukrainën që po humb terren në fushëbetejë, debati ndërkombëtar po fokusohet në forcimin e pozicionit të paqëndrueshëm të Kievit.
“Është thelbësore të kemi garanci të forta, ligjore dhe praktike,” tha Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit Zelensky, për transmetuesin publik të Ukrainës më 12 dhjetor.
E kaluara e fundit e Ukrainës, tha ai, ka lënë një trashëgimi të hidhur. “Fatkeqësisht, nga përvoja jonë, të gjitha garancitë që kishim më parë nuk rezultuan në siguri.”
Pa mekanizma konkretë të ngjashëm me konceptin e mbrojtjes kolektive të në Nenin 5 të traktatit themelues të NATO-s, vëzhguesit kanë frikë se nuk do të ketë asgjë për të parandaluar një tjetër sulm rus.
“Zelensky e kupton që nuk mund të ketë thjesht një armëpushim,” thotë Orysia Lutsevych.
“Duhet të jetë një armëpushim plus. Për Zelensky-n, do të ishte vetëvrasje të pranonte thjesht një armëpushim pa pasur asnjë përgjigje se si mbrohet Ukraina.”
Në forumet e politikave evropiane, ekspertët po shohin mënyra me të cilat Evropa mund të ndihmojë në marrjen e kësaj përgjegjësie të rëndë.
Idetë kanë përfshirë vendosjen e paqeruajtësve në Ukrainë (një propozim i paraqitur për herë të parë shkurtin e kaluar nga Macron), ose përfshirjen e Forcës së Përbashkët Ekspeditare të udhëhequr nga Britania, e cila përmbledh forca nga tetë vende nordike dhe baltike, plus Holanda.
Por Kofman është skeptik. “Garancitë e sigurisë që nuk përfshijnë Shtetet e Bashkuara si një nga garantuesit janë si një donut me një boshllëk të madh në mes.”
Është një mendim që pasqyrohet në Kiev.
“Cila mund të jetë alternativa? Nuk ka alternativa sot,” thotë zoti Podolyak.
Kushtet e shkruara, si Memorandumi i Budapestit të vitit 1994 (në lidhje me kufijtë pas-sovjetikë të Ukrainës) ose marrëveshjet Minsk të 2014-2015 (që synonin t’i jepnin fund Luftës së Donbasit), janë të pavlera, argumenton ai, pa kërcënimin shtesë të parandalimit ushtarak.