BE aktivizon mekanizmin e mbrojtjes civile! Çekia dhe Holanda sjellin 2 helikopterë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri

Prej më shumë se 2 javësh Shqipëria po digjet nga zjarret e favorizuara nga temperaturat e larta. Qytetet të cilat paraqesin emergjencë civile janë ato të Vlorës dhe të Gjirokastër, ku fatkeqësisht në këtë të fundit ditën e djeshme u shënua një viktimë.

Në pamundësinë për të përballuar këtë katastrofë mjedisore, si dhe vonesa e ndërhyrjes së menjëhershme për të neutralizuar flakët, bëri që situata të dilte jashtë kontrollit.

Shefi i Emergjencave Civile, Haki Çako, u shfaq vetëm ditën e djeshme, pasi ishte me pushime. I nxitur nga kryeministri Rama, i cili e cilësoi sjelljen e tij si të papranueshme, Çako doli në terren dhe  në deklaratën e tij të djeshme  u shpreh se “edhe pse kemi kontaktuar edhe më fqinjët edhe me Brukselin, ata kanë pasur nevojat e veta dhe nuk kanë mundur të na përgjigjen”.

Ndërkaq sot mësohet se drejt Shqipërisë do të vijnë shumë shpejt 2 helikopterë për të mbështetur operacionet për fikjen e zjarreve, një nga Çekia dhe një nga Holanda. Kjo është ndihma që na vjen nga Bashkimi Europian në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Brukselit.

Ndërsa zjarret pyjore vazhdojnë të prekin rajone të ndryshme në Mesdhe dhe Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian po mobilizon me shpejtësi mbështetje për të ndihmuar vendet në kufizimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës dhe jetesës.

Bashkimi Evropian do të ndihmojë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë për shuarjen e vatrave të zjarrit. BE njoftoi se di të dêrgojë:

  • 2 aeroplanë zjarrfikës Canadair nga Franca në Itali për të filluar operacionet e shuarjes së zjarrit.
  • 2 avionë zjarrfikës nga Qipro po mbështesin Greqinë, dhe një ekip zjarrëfikësish për të mbështetur operacionet në terren.
  • 2 helikopterë nga Çekia dhe Hollanda do të dërgohen për të mbështetur operacionet në Shqipëri.
  • Sllovenia po dërgon një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut.

E gjithë ndihma mobilizohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, me bashkëfinancim nga Komisioni të paktën 75% të kostove të transportit.  Komisioneri për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarčič tha:

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të dërguar ndihmë ndërsa zjarret janë ndezur në të gjithë Evropën. Falënderoj Qipron, Çekinë, Francën, Slloveninë dhe Hollandën që vendosën me shpejtësi aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe një ekip zjarrfikësish për të mbështetur “Vendet e prekura shumë nga zjarret në pyje. Në këtë kohë ndërsa disa vende mesdhetare po përballen me zjarre, Mbrojtja Civile e BE -së sigurohet që mjetet tona të zjarrfikësve në vend të përdoren me kapacitetin maksimal. Ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit të BE -së në kohë nevoje ”.

Qendra e Bashkimit Evropian për Koordinimin e Reagimit të Emergjencave 24/7 është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e mbrojtjes civile të vendeve të prekura nga zjarret për të monitoruar nga afër situatën dhe kanalizuar ndihmën e BE -së, shkruhet në njoftimin për shtyp.

“Këto dislokime vijnë si shtesë e operacioneve të shuarjes së zjarrit të koordinuara nga BE që aktualisht janë duke vazhduar në Turqi, si dhe në Sardenjë të Italisë që filluan që nga fundi i korrikut. Hartat satelitore nga sateliti i BE-së për Menaxhimin e Emergjencave Copernicus po ofrojnë mbështetje të mëtejshme për shërbimet e urgjencës për të koordinuar operacionet. Qendra e Bashkimit Evropian për Koordinimin e Reagimit të Emergjencave 24/7 është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e mbrojtjes civile të vendeve të prekura nga zjarret për të monitoruar nga afër situatën dhe kanalizuar ndihmën e BE-së”, thuhet në njoftimin e Bashkimit Europian.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *