Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, gjatë ceremonisë së organizuar në Dhërmi, për dhurimin e pajisjeve të cilat iu dorëzuan Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, nga Bashkimi Europian, u shpreh se një projekt i tillë ishte i nevojshëm për përballimin e sfidave të reja.
Ai u shpreh se me gjithë progresin e dukshëm për forcimin e kapaciteteve logjistike, shoqëruar me rritjen e numrit të punonjësve, nevoja për pajisje dhe mjete bashkëkohore për mbikëqyrjen e kufirit tokësor dhe atij detar, ishte e dukshme.
Fjala e plotë:
Projekti “Mbështetja e BE-së për menaxhimin efektiv të kufijve të gjelbër dhe detar në Shqipëri”, i cili po mbyllet, është një nga projektet më të rëndësishme për përballimin e sfidave të reja të sigurisë kufitare, siç është emigracioni i parregullt që ka goditur kufijtë e vendeve të rajonit, kriminaliteti ndërkufitar, veçanërisht trafiqet e paligjshme.
Me gjithë progresin e dukshëm për forcimin e kapaciteteve logjistike, shoqëruar me rritjen e numrit të punonjësve, në masën 15.5%, gjatë tre vjetëve të fundit, nevoja për pajisje dhe mjete bashkëkohore për mbikëqyrjen e kufirit tokësor dhe atij detar, ishte e dukshme dhe njëkohësisht përbënte një nga rekomandimet kryesore të ekspertëve të Bashkimit Europian.
Bashkimi Europian, me financimin e këtij projekti, në vlerën 6 000 000 euro, profesionalizimi i ICMPD-së (Qendrës Ndërkombëtare të Zhvillimit të Politikave të Migracionit), si dhe fleksibiliteti në planifikimin e aktiviteteve mundësoi trajtimin e disa prej nevojave kryesore për pajisje, mjete dhe sisteme, për mbikëqyrjen e kufirit. Këto pajisje dhe trajnimet e zhvilluara në kuadër të Projektit, pa asnjë dyshim, tashmë kanë dhënë rezultatet e para për forcimin e sigurisë së brendshme, por edhe për parandalimin e eksportimin të fenomeneve kriminale, drejt vendeve fqinje.
Sistemet e mbikëqyrjes së kufirit dhe trajnimi i personelit për përdorimin e tyre, kanë siguruar kapacitete operacionale për mbikëqyrjen e dy zonave më të nxehta të kufirit shtetëror me Republikën e Greqisë, dhe rezultatet kanë qenë të prekshme që në ditët e para të vënies në përdorim.
2 TVV-të, të pajisura edhe me radarë me rreze 15 km, përveç vlerës së shtuar për mbikëqyrjen e kufirit blu, ofrojnë kapacitete për menaxhimin e situatave të papritura operacionale, si në bregdet, ashtu edhe në thellësi të hapësirës detare. Këto sisteme të pajisura me pajisje të vëzhgimit, me rreze të gjatë, gjatë ditës dhe natës, do të rritin efikasitetin e veprimeve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit.
Kemi dëgjuar dhe kemi lexuar për boshllëqet apo për zonat e pambuluara me mbikëqyrje në hapësirën detare. Radarët e mbikëqyrjes së hapësirës detare, të instaluara dhe të vëna në funksionim, në Tale, Lezhë dhe këtu në Dhërmi, mundësojnë mbikëqyrjen e zonave më problematike, që kanë shërbyer si pikënisje për mjetet e paligjshme të lundrimit.
Gjithashtu, sigurimi i aksesit të QNOD-së, në sinjalin e këtyre radarëve, mundëson koordinimin e veprimeve të agjencive që operojnë në hapësirën detare, në përgjigje të situatave operacionale apo operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Në kuadër të këtij projekti janë përfituar 5 mjete lundruese, si dhe është bërë rehabilitimi i plotë i gjashtë mjeteve të tjera, duke forcuar dukshëm aftësitë mbikëqyrëse të kufirit detar, aftësitë reaguese të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe kapacitetet e kërkim-shpëtimit kurdo të jetë e nevojshme.
Njësia e lëvizshme e mirëmbajtjes së mjeteve lundruese, e pajisur me të gjitha mjetet dhe pajisjet e nevojshme, përveç aspektit ekonomik, ka mundësuar dhënien e shërbimeve për mjetet lundruese, në vendin e shërbimit, pa qenë nevoja të transportohen pranë Repartit “DELTA”. Kjo mundëson gatishmërinë operacionale të mjeteve lundruese në çdo kohë, në stacionet ku ato janë të dislokuara.
Gjithashtu, janë riparuar 13 automjete me kalueshmëri të lartë, duke u ribërë pjesë e flotës automjeteve për patrullimin e kufirit. Në sajë të mbështetjes së pakursyer të ofruar, nga viti në vit, nga Policia Federale Gjermane, Programi i Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga donatorë të tjerë, Policia Kufitare tashmë ka një flotë thuajse tërësisht të rinovuar për patrullimin e kufirit dhe për nevoja të tjera.
Trajnimi i punonjësve të Policisë Kufitare, për përdorimin e sistemeve, mjeteve lundruese, radarëve dhe për analizmin e të dhënave që grumbullohen nga këto pajisje bashkëkohore, përbën një vlerë të rëndësishme të kapaciteteve profesionale, për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, kapacitete këto të cilat shtohen çdo ditë.
Ndonëse jemi mbledhur për të përmbyllur një nga projektet më të rëndësishme të viteve të fundit, në fushën e forcimit të kapaciteteve logjistike të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, nuk mund të mos shprehim mirënjohjen për Bashkimin Europian, për mbështetjen në të gjitha fushat. Projekti EU4LEA vijon të ofrojë asistencë teknike dhe ekspertizë për reformat në sektorin e sigurisë, por edhe asistencë logjistike.
Padyshim, operacioni i përbashkët me Agjencinë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, FRONTEX përbën një nga sukseset e shënuara në historinë e kësaj mbështetjeje.
Një falënderim të veçantë e kemi edhe për implementuesin e Projektit, ICMPD (Qendrën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Politikave të Migracionit), që me profesionalizmi e punonjësve të saj dhe bashkëpunimin me strukturat e Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, mundësuan implementimin pa pengesa dhe në kohë të këtij projekti.
Në përfundim, shprehim bindjen se asistenca e ofruar nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë, në fushën e legjislacionit dhe përafrimit të tij me legjislacionin komunitar, asistenca për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike, asistenca për reformimin e vazhdueshëm në sektorin e sigurisë, si dhe bashkëpunimi çdo ditë dhe më i fortë ndërmjet nesh, vijojnë ta bëjnë Shqipërinë një vend më të sigurtë, dhe eksportues të besueshëm të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Ju falemnderit!