Bashkimi Evropian ka theksuar rëndësinë e dialogut të lehtësuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar këtë proces si çelës për integrimin në BE. Takimi i radhës i kryenegociatorëve do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel, ku do të shqyrtohen çështje të rëndësishme, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Përfaqësuesi i Kosovës, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në këtë takim pas akuzave të fundit ndaj Serbisë për sponsorizimin e sulmeve terroriste në veri të Kosovës. Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ka shprehur skepticizëm për mundësitë e një marrëveshjeje të suksesshme.
‘’Ne kemi përfunduar në një dialog i cili veç dialog nuk është për arsye se Serbia nuk po i zbaton asnjërën nga dakordancat që janë bërë si në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, dhe ka sponsorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë terrorizmin brenda territorit të Kosovës, për të cilin edhe krye terrorist Radojiçiq po fshihen në Beograd dhe i cili nuk po fshihet nga drejtësia, nuk po arrestohet dhe nuk po ekstradohet në Kosovë. Serbia po e spozorizon destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit. Prandaj, ne nuk po e dimë faktikisht se për çfarë të dialogojmë duke e ditur se edhe dialogu deri tani edhe në dibalancë për shkak se Kosova është nën masa të BE-së, ndërsa Serbia po ledhatohet”, tha Batusha.
Opozita ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë për mungesën e rezultateve konkrete në dialog dhe për mungesën e transparencës në procesin negociues.