Gjatë ditëve të fundit në Kosovë u mbyllën disa komuna paralele serbe. BE dhe SHBA reaguan duke theksuar, se veprimet e njëanshme nga ana e Kosovës mund të rrisin tensionet mes Kosovës e Serbisë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës të shmangë veprimet e njëanshme, të cilat mund të rrisin tensionet. Reagimi erdhi pasi autoritetet kosovare ditët e fundit ndërmorën një sërë operacionesh duke mbyllur disa zyra paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, në funksion të komunave paralele. Vetëm gjatë fundjavës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se kanë mbyllur komunat e paligjshme që kanë shërbyer për komunën e Pejës, Istogut dhe Klinës.
BE: Mbyllja e papritur e zyrave do të ketë efekte negative
Për këto veprime reagoi Bashkimi Evropian, duke thënë se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë”. Sipas BE-së, “kjo do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë çast”. “Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut në Bruksel”.
Pas mbylljes së zyrave paralele, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, reagoi në mbështetje të deklaratës së Bashkimit Evropian, duke theksuar se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”. Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një deklarate për media akuzoi qeverinë e Kosovës që, siç tha ai, me “veprimet e fundit po nxit tensione etnike në vend”, veprime këto që sipas tij, “po e kufizojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.
“Shtetetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për veprimet e fundit të autoriteteve të qeverisë së Kosovës, që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, tha Hovenier, duke shprehur shqetësimin e tij, për “veprimet e policisë së Kosovës për sekuestrimin e dinarëve serbë dhe automjetit që transportonte shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia”. Banka Qendore e Kosovës më 1 Shkurt, filloi së zbatuari një rregullore të saj, e cila e përcakton qartë se valuta e vetme për pagesa të gatshme në Kosovë është Euro. Autoritetet ndërkombëtare kërkuan që BQK të shtyjë vendimin, por, kjo e fundit la të hapur vetëm mundësinë e një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb. BQK, thotë se “duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje”, por kjo është hedhur poshtë nga autoritetet e Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me këtë vendim tha se “vendimi i autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb ka për qëllim spastrimin etnik të serbëve”, ndërsa paralajmëroi se Serbia do të kërkojë “mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”./dw