Kreu i PD, Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama kërkon ta lërë Shqipërinë pa porte, duke vënë në dukje lajmin se Bashkimi Europian kishte hequr fondin prej 28 mln eurosh për portin e Durrësit.
Berisha u shpreh se Durrësi do fshihet nëse projekti i Ramës vihet në zbatim, pasi ky i fundit ka ëndërr ndërtimin e Dubait të tij.
“BE i hoqi 28 mln euro për portin e Durrësit. Kompania gjermane u ra sirenave sot, ku pyet ky? Jeton dhe sheh ëndrra për Dubain e tij. Situata na fton që të bëjmë gjithçka për një sukses të jashtëzakonshëm. Në datën 6 duhet të jemi në shesh. Pas 30 vitesh liri mund t’i vësh çdo emër këtij që na kthen përsëri në popull gomonesh. Kërkon të plaçkisë çdo gjë. Si mund të jemi ne pa porte. Si mund të jemi ne pa porte mor zotëri. Saranda është dhënë, Vlora është dhënë, Durrësi po jepet. Durrësi ka qenë i rrugës Egnatia. Egnatia lidhte Durrësin me Kostandinopojën dhe ky do që ta fshijë.
Të krijojë një Dubai për të pasurit duke gjobitur çdo shqiptar. Porti i Durrësit ka sot kapacitet për 8 mln ton. Sepse taksat, paratë e shqiptarëve janë investuar për t’u zgjeruar. Të gjitha këto e kanë bërë port që mund të përballojë 8 mln ton për Shqipërinë dhe Kosovën. Ky do ta fshijë. Të ndërtojë pallatet e tij dhe natyrisht ngjitur me pallatet e tij, gjirin e jahteve. Këtu shqiptarët do jenë lodra si tha gazetari britanik. Lodra të një elite trafikantësh. Ka filluar po shet apartamente pa kaluar marrëveshja. Nuk mund t’i lejojmë këto. Këtu drejtësi nuk ka.
Drejtësia është e tëra degë e ekzekutivit. Duhet të flasë populli. Duhet të flasë sovrani. Nuk ka asnjë lidhje. Ne do dëgjohemi sigurisht. Ndaj ju lutem dhe ju kërkoj që mobilizimi për organizimin e saj të jetë në shkallën më të jashtëzakonshme. Krahas kësaj kemi primaret. Të bëjmë gjithçka për një proces sa më të ndershëm, sa më të drejtë sa më transparent. Shqipëria është shkëputur nga vlerat”, deklaroi Berisha.