BE-ja dhe Frontex-i janë të kënaqura me Shqipërinë në fushën e migracionit

Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian dhe Frontex raportojnë bashkëpunim të mirë të përgjithshëm me Shqipërinë.

Kjo, në fushën e migracionit dhe menaxhimit të kufijve, duke përfshirë kthimin dhe riatdhesimin.

Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi.

Sipas tij, pajtueshmëria nga Shqipëria me Marrëveshjen e Ripranimit BE-Shqipëri është e kënaqshme.

Siç u konfirmua gjatë Komitetit të Përbashkët të Ripranimit në shkurt të këtij viti.

Në vitin 2021 janë dhënë 22 mijë e 25 vendime kthimi për shtetasit shqiptarë dhe janë raportuar 9 mijë e 390 kthime efektive në Shqipëri.

“Asnjë rast i refuzimit të pranimit të shtetasve shqiptarë nuk u raportua nga shtetet anëtare”, sqaroi Varhelyi.

Ai vërejti se Shqipëria ishte vendi i parë që mori pjesë në një operacion kthimi të drejtuar nga Frontex dhe një udhërrëfyes për bashkëpunim me Agjencinë e BE-së për Azilin është në zbatim.

Vendosja e një prokurori ndërlidhës shqiptar në Eurojust në vitin 2021 ka lehtësuar bashkëpunimin gjyqësor midis BE-së dhe Shqipërisë, shton përfaqësuesi evropian.

Për sa i përket Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit, rregullorja për krijimin e IPA III synon të mbështesë përfituesit në miratimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme.

Kjo, për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me acquis të BE-së me synimin për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Raporti i Komisionit 2021 për Shqipërinë thekson se vendi ynë ka vazhduar të tregojë angazhimin e saj ndaj reformave të orientuara drejt BE-së dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë ecurinë e reformave dhe përputhshmërinë në të gjitha këto fusha.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *