BE-ja humb durimin me Kosovën dhe Serbinë

Bashkimi Evropian ka nisur ta humbë durimin me Kosovën dhe Serbinë, ka shkruar të martën mediumi “Deutsche Welle”, në një raportim pasi ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së shqyrtuan tensionet në veri të Kosovës.

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të hënën, pas mbledhjes me ministrat ka thënë se “kjo situatë duhet të marrë fund”.

“Ne nuk jemi më të gatshëm ta pranojmë këtë”, ka thënë Borrelli.

Qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë (e që u shtynë), në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së. Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan. Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania kanë reaguar pas bllokimit të rrugëve duke kërkuar nga Serbia t’i heqë barrikadat.

Të hënën, Borrelli paralajmëroi se BE-ja është e gatshme të dërgojë më shumë personel për misionin e EULEX-it, një veturë e të cilit u sulmua në veri.

“Këshilli i ministrave të jashtëm u kërkoi të dyja palëve, që të heqin dorë nga provokimet dhe t’i japin fund dhunës”, ka thënë Borrelli.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *