Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për përdorimin e listave të kontrollit nga Serbia, të cilat përfshijnë individë dhe shtetas të huaj, duke theksuar se kjo praktikë mund të kufizojë liritë personale.
Kritikën e bëri një zëdhënës i BE-së, i cili theksoi se çdo kontroll duhet të përputhet me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky shqetësim erdhi pas një incidenti ku këngëtarja kroate Severina Vuçkoviç u ndalua dhe u pyet nga shërbimi sekret serb për qëndrimet e saj mbi gjenocidin në Srebrenicë.
“Në kontekstin e negociatave të Serbisë për anëtarësimin në BE, Komisioni Evropian ndjek nga afër zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të cilat janë elemente kyçe në procesin e anëtarësimit të Serbisë. Përderisa është legjitime që Serbia të bëjë kontrolle të sigurisë në kufijtë e saj, është e rëndësishme që kjo të bëhet në përputhje me kornizën ligjore të Serbisë dhe standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha zëdhënësi i BE-së.
Në përputhje me këtë, BE-ja ka paralajmëruar se do të përfshijë këtë çështje në raportin e progresit për Serbinë, duke kërkuar një angazhim më të fortë ndaj të drejtave dhe lirive themelore.
“Çfarëdo mase e tillë e përdorur në bazë të qëndrimeve të shprehura politike është problematike dhe është çështje që kufizohet në mënyrë strikte nga neni 10 i Konventës evropiane për të drejtat e njeriut”, thanë nga BE-ja.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit dhe për ndonjë formë të revizionizmit të krimeve të luftës.
“Qëndrimi ynë për mohimin e gjenocidit është i njohur mirë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm apo madhërim të krimeve të luftës, që është në kundërshtim me vlerat kryesore evropiane” , tha zëdhënësi i BE-së.