Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi thirrjet për të caktuar një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE -së për Ballkanin në Slloveni.
Sipas saj caktimi i një afati do ta vendoste BE-në nën presion, pavarësisht nëse Ballkani Perëndimor i plotësonte kushtet e përcaktuara nga blloku i 27 vendeve. Në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane theksoi gjithashtu se deri më tani nuk mund të ketë ndonjë pranim, sepse asnjë vend nuk ka plotësuar kushtet.
Sllovenia, si vend mikpritës i samitit kishte ofruar vitin 2030 si kohë e caktuar për pranimin e këtyre vendeve, por nuk pati sukses. “Nuk e mbështeta këtë propozim“, tha Merkel. Deri më tani “nga asnjë nga këto vende nuk janë plotësuar kriteret“. Megjithatë Merkel theksoi, se BE ka një “interes të jashtëzakonshëm strategjik” për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo e argumentoi këtë me bashkëpunimin në çështjen e klimës dhe migracionit.
Shumë nga krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u shprehën të zhgënjyer për ngecjen e procesit të anëtarësimit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se jo të gjithë vendet anëtare të BE kanë të njëjtën apetit për sa i përket zgjerimit.
Një nga vendet që ka qenë gjithmonë hezituese ka qenë Franca. Presidenti francez, Emmanuel Macron në Brdo u shpreh me nota pozitive, se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën drejt Bashkimit Europian, dhe duhet t’u tregohet se janë në zemrën e Europës, duke merituar investime, bashkëpunim në tregti, por edhe anëtarësim eventual.
“Ne kishim një diskutim të mirë…dëshira jonë është që t’i japim Ballkanit, i cili ndodhet në zemër të Europës, një perspektivë (europiane) sërish në plan afat shkurtër“, citon agjencia Reuters. “Ne duhet të përgjigjemi”, tha presidenti francez duke theksuar, se kjo do të ndihmojë stabilitetin europian. Por ai shtoi se shtimi i BE me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në procesin e vendimmarrjes në BE që po ecën ngadalë.
Megjithë inkurajimet, presidenti Macron ia doli të vendosë një kufizim të ri. Kështu në deklaratën përfundimtare të samitit, theksohet, se integrimi i vendeve të reja në BE kushtëzohet nga zhvillimi i mëtejshëm i vetë unionit. Me këtë shtojcë qeveria e Parisit mban të hapur bllokimin e zgjerimit të BE me vende të reja, nëse BE në vitet e ardhshme, sipas qëndrimit francez, nuk do të tregohej si shumë e aftë për kompromis, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa.
Por jo të gjithë në BE janë hezitues. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, u shpreh se “nëse Bashkimi Europian nuk i ofron rajonit një perspektivë të qartë, duhet të jemi të vetëdijshëm, se superfuqi të tjera si Kina, Rusia apo Turqia do të luajnë një rol më të madh aty. Rajoni i përket Europës gjeografikisht dhe i nevojitet një perspektivë europiane“. Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins tha para reporterëve, se Ballkani është “kopshti ynë i pasëm”.
Ndërkaq, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe Ursula von Der Leyen shprehën mbështetjen e tyre për zgjerimin e BE-së por nuk dhanë asnjë datë për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pas përfundimit të takimit BE-Ballkan Perëndimor në Brdo, të mërkurën, Presidenti Michel renditi 5 pikat kryesore për marërdhënien e ardhshme mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së:
Rajoni ka rëndësi për BE-në. Ne i sigurojnë atyre prespektivën evropiane. Ne kemi diskutuar për sqarimet politike për çështjet e ardhshme. Reformat duhet të vazhdojnë, sidomos në luftën kundër korrupsionit.
Duhet të zgjidhen çështjet për minoritete në vende të ndryshme. Vendet e BE-së duhet të bien darkord për anëtarësimet e reja në BE. BE duhet të punojë me aleatët për të rritur ndikimin dhe forcuar në fushën e sigurisë.
Ursula von der Leyen u shpreh se “BE nuk është e plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE. Qëllimi ynë është zgjerimi”.
/Priza.al/