Bashkimi Evropian propozoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë të mërkurën, ndërsa ministrat e mbrojtjes të NATO-s në Bruksel diskutuan rreth shtimit të shpenzimeve të mbrojtjes dhe prodhimit të armëve. NATO gjithashtu u zotua për mbështetje të vazhdueshme për forcat ukrainase.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se sanksionet e reja përfshijnë ndalimin e eksporteve të mallrave industriale dhe prodhimeve teknologjike në Rusi, duke thënë se kufizimet e reja do t’u mohonin forcave ruse komponentët e nevojshëm për sistemet e tyre të armëve. Propozimi përfshin gjithashtu sanksione kundër Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit si ndëshkim për furnizimin e forcave ruse me dronë Shahed. Forcat ruse i përdorin këta dronë për të sulmuar infrastrukturën jetike të Ukrainës.
Sanksione të tjera shënjestrojnë edhe propagandistët dhe komandantët ushtarakë rusë.
Zonja Von der Leyen tha se presidenti rus Putin “po bën luftë në hapësirën publike me një ushtri propagandistësh dhe rrjetesh dezinformuese” dhe se ata “po përhapin gënjeshtra helmuese për të polarizuar shoqëritë tona”.
Zyra e çështjeve humanitare të OKB-së dhe agjencia e OKB-së për refugjatët bënë thirrje të martën për 5.6 miliardë dollarë për të ndihmuar ata që janë prekur nga agresioni rus në Ukrainë. Këto agjenci thanë se fondet nevojiteshin për të ofruar ushqim, kujdes shëndetësor dhe ndihma të tjera për banorët brenda Ukrainës, si dhe për të ndihmuar refugjatët ukrainas në 10 vende të tjera../VOA