Ka ardhur koha për të shqyrtuar heqjen e masave shtesë të udhëtimit të vendosura nga disa shtete anëtare përtej rekomandimeve të BE-së. Kështu u shpreh Komisioneri Evropian i Drejtësisë, Didier Reynders pas miratimit të 27 rekomandimeve të reja lidhur me kufizimet për shkak të COVID-19.
Rekomandimi, që thotë se masat që duhet të zbatohen tani do të marrin parasysh vetëm gjendjen e personit dhe jo atë në nivel rajonal, i përgjigjet rritjes së përhapjes së procesit të vaksinimit dhe futjes së shpejtë të certifikatës digjitale COVID-19 të BE-së dhe do të hyjë në fuqi në datën 1 shkurt 2022.
Po ashtu Ministrat e BE-së, gjatë takimit të mbajtur të martën, pranuan propozimin e Komisionit Evropian për të bërë ndryshime në kriteret për përdorimin e ‘Green Pass’ për udhëtim brenda bllokut.
Kjo certifikatë ishte vendosur në pranverën e 2021 me qëllim që të lehtësojë lëvizjen brenda BE-së në kohën kur kishte nisur procesi i vaksinimit anti-COVID.
Sipas rekomandimeve të reja, ‘Green Pass’ do të jetë e vlefshme nëse përmban të dhënat se personi është i vaksinuar me së paku dy doza. Kjo certifikatë vlen 9 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, ndërkaq për personat që janë të vaksinuar me dozën përforcuese, vlefshmëria e certifikatës do të jetë e pakufizuar.
Në kohën kur shtetet e BE-së po regjistrojnë shifra rekord të infektimeve me variantin ‘Omicron’, blloku sugjeron lehtësime për udhëtime duke marrë parasysh suksesin që kanë arritur disa shtete me fushatën e vaksinimit të qytetarëve të tyre. Këto janë vetëm rekomandime të BE-së, pasi secili shtet anëtar do të vendosë për zbatimin e tyre në shtetet përkatëse.
/Priza.al/