Bebe Rexha është artistja e vetme shqiptare që sivjet është nominuar në ceremoninë më të madhe të ndarjes së çmimeve të muzikës, ‘Grammy Awards 2023’. Ajo thotë se ndihet e lumtur që është nominuar dhe është pjesë e Grammy Awards edhe pse mendon që do fitojë Beyonce.
Bebe lufton për të marrë çmimin “Kënga më e mirë ritmike/elektronike”, kategori në të cilën është nominuar për bashkëpunimin e saj shumë të suksesshëm, “I’m Good (Blue)”. Në konkurrencë për këtë çmim ka divën e muzikës, Beyonce, me hitin e saj “Break my soul” – për të cilën mendon se do të jetë edhe fituesja e këtij çmim. Këtë gjë, ylli me famë botërore e bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social Twitter, kur u pyet nga një fans se “a është e emocionuar për mbrëmjen e madhe të ‘Grammy’-t”.
“Po jam e entuziazmuar edhe pse e di që Beyonce do të fitojë. Por jam ende e emocionuar që jam nominuar”, ka qenë përgjigja e artistes shqiptare.
Kënga e saj dhe e Davidit, “I’m Good (Blue)” ka qenë një nga hitet më të mëdha të vitit dhe është mjaft pretendente për të fituar çmimin në fjalë, një këngë që e kanë përkrahur të gjithë. ‘Grammy Awards 2023’ mbahet këtë të diel.