Begaj dhe Balla përkujtojnë ‘Dëshmorin e Atdheut’, komisar Gani Malushin

Presidenti Bajram Begaj dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla kanë përkujtuar dëshmorin e Atdheut, komisar Gani Malushin, i cili u vra vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Durrësit, më 7 gusht 2003.

Kreu i shtetit e ka konsideruar “Shembull frymëzimi për policinë”, komisarin duke shprehur mirënjohje për luftën e tij të pakompromis, kundër krimit në radhët e policisë.

“Dëshmori i Atdheut, Komisar Gani Malushi do të nderohet gjithmonë si shembull frymëzimi për Policinë e Shtetit. Do të kujtohet me respekt për luftën pa kompromis me bandat e krimin. Profesionistë si ai lartësojnë figurën e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin tek ajo”, u shpreh Begaj.

Edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përkujtuar sot 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Komisar Malushit, duke i shprehur mirënjohjen në emër të Policisë së Shtetit për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës.

“Sot 20 vite më parë Policia e Shtetit humbi një nga oficerët e saj më të lartë, dhe këtë nuk e them për gradat, por nga përgjegjësitë e mëdha që mori mbi supe dhe standardin që ai vendosi me punën e tij. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Komisar Gani Malushit, Dëshmor i Atdheut, për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës etj”, shkruan Balla. Gjithashtu Balla thekson se po sot 14 vite më parë, po në Durrës, ranë në krye të detyrës katër dëshmorët e Atdheut: Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, të cilëve jemi gjithashtu mirënjohës dhe do të bëjmë gjithçka që gjaku i tyre të mos tradhëtohet më kurrë nga brenda Policisë së Shtetit.

Gani Malushi, ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit nga viti 1995 deri në vitin 2003. Ai u plagos rëndë më 06 gusht 2003, dhe u nda nga jeta vetëm një ditë më pas. Malushi u qëllua vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Durrësit, nga autori tashmë i dënuar, Agim Pepa.

Gani Malushi është shpallur ” Dëshmor i Atdheut” më 16 nëntor të vitit 2004.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *