Begaj pret senatorët amerikanë: 2 vendet, aleate të ngushta në sfidat globale

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi vizitash në të gjithë rajonin, janë pritur sot në Tiranë nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Ata shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, zonja Yuri Kim.

Në komunikimin me dy ligjvënësit amerikanë, Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendje në rritje.

Kreu i Shtetit, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukraninë, përmes rezolutave të ndryshme.

Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, u ndal edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon. Gjithashtu ai ka shprehur mirënjohjen edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës dixhitale të shtetit shqiptar.

Ndërsa, duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj, nënvizoi nevojën e përkthimit të dakordësimit publik të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanie Perëndimor, nënvizoi Presidenti Begaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *