Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka zhvilluar mbrëmjen e sotme ceremoninë e pritjes së përfaqësuesve të Trupit Diplomatik në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij Presidenti shprehu edhe një herë vendosmërinë e Shqipërisë për të mbetur në krah të ukrainasve si pjesë e bashkëpunëtore e aleancës euroatlantike.
Sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë ai e quajti si sulm të strukturuar në skuta totalitare dhe i lëshuar dëshpërimisht ndaj një vendi të lirë e demokratik. Duke folur për situatën në rajon, Begaj tha se organizimi i samitit të Ballkanit Perëndimor është shembull mirënjohjeje e vlerësimi. Ai u shpreh se gjithmonë shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual.
“E ndërsa flasim për konflikt, nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë. Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit. Në këto kushte, Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar” – tha Bajram Begaj.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të vendeve mike të Shqipërisë në Tiranë, ambasadorëve, Presidenti Begaj i falënderoi për çdo ndihmë për vendin tonë. Ai shprehu urimet e tij për një fillim të ripërtërirë të një periudhe të re, në të cilën si u shpreh politika e jashtme është rezultat i një ndërgjegjeje rajonale e globale.