Prej muajsh, kreu i PD-së Lulzim Basha ka nisur fushatën për të kërkuar votat e shqiptarëve për t’u bërë kryeministër, por vetë atij i ka skaduar karta e ID, mjet i domosdoshëm për të marrë pjesë në procesin e votimit. Nëse bëhet një kërkim i thjeshtë në sistemin e Gjendjes Civile, rezulton që karta e ID-së së kreut të PD-së nuk është më e vlefshme që nga viti 2019. Përpos bashkëshortes së tij Aurela, që është shtetase holandeze dhe nuk voton në Shqipëri që nga viti 2004, edhe Lulzim Basha nuk do të mund të votojë në zgjedhje për PD-në, pasi mjeti i tij i identifikimit është i skaduar. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, në një intervistë për “Fax News”, i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të rinovojë mjetin e tij të identifikimit, i cili sipas Doracaj, ka dy vite që ka skaduar.
“Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje të parëve; përfaqësuesve politikë, liderëve politikë. Në dijeninë time ka ende lider politikë pa dashur të përmend emra, që ende nuk kanë përmbushur këtë detyrim ligjor dhe kanë një dokument biometrik më shumë se dy vjet të skaduar. Nëqoftëse drejtuesi politik nuk përmbush vetë i pari këto detyrime, çfarë do përcjelli tek pjesa tjetër”, ka thënë ai.
Vlen të theksohet fakti se pak ditë më parë, në media doli dhe skandali i patentës së kreut demokrat. Bashkëshortja e Lulzim Bashës, Aurela Basha, postoi foton teksa Basha ishte në drejtim të automjetit për të shijuar një fundjavë jashtë Tiranës. Në media u publikuan dokumentet se kreut të PD-së i kishte skaduar patenta që më datë 22.12.2016, dhe prej asaj date ai nuk e ka rinovuar. Pra, Basha jo vetëm udhëton me makinë pa patentë, por as kartë identiteti nuk ka!
Nga ana tjetër, bashkëshortja nuk ndodhet në listat e votuesve. Duke qenë holandeze, zonja Basha nuk mund të votojë në Shqipëri. Aurela Basha ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare, dhe bashkë me të nga çdo e drejtë dhe detyrim që rrjedh nga kjo shtetësi.
Në 12 shkurt të këtij viti, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premtoi lehtësira për fermerët dhe blegtorët. Në fjalën e tij gjatë prezantimit të programit për bujqësinë, Basha u shpreh se kur Partia Demokratike të vijë në pushtet, do të marrin fund burokracitë korruptive. Në të kohë, kryedemokrati garantoi fermerët se do të përfitojnë mbështetje financiare vetëm më kartë identiteti, që sipas tij, do të shërbejë edhe si NIPT.
“I vetmi dokument me te cilin fermeri do te paraqitet për të përfituar mbështetje financiare, do të jetë karta e identitetit, numri unik i të cilës do të shërbejë edhe si NIPT-i i fermerit”, tha Basha. Por Bashës i ka shpëtuar një detaj, se para se të këshillojë qytetarët, duhet të zgjidh çështjen e kartës së identitetit për veten e tij.