Beleri akuza GJKKO-s nga burgu!

Kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri i është dërguar me një deklaratë GJKKO-s nga burg lidhur me seancat gjyqësore dhe dëshmitarët.

 

 

Beleri pyet se pse Arsen Rama është marrë në pyetje me një seancë me dyer të mbyllura, duke shkelur Kushtetutën.

 

“Së pari: Pranuat kërkesën e prokurorisë, për pyetjen e dëshmitarit Arsen Rama me dyer të mbyllura, në shkelje të hapur të nenit 340 të Kodit të Procedurës Penale, duke u shkelur kështu Kushtetuta, që parashikon që seancat gjyqësore janë publike. Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që cenohej siguria e dëshmitarit Arsen Rama. Pretendimet e prokurorisë, se diku në muajin qershor, të dashurës së shtetasit Arsen Rama, në rrugë publike, në Vlorë, i kanë gërvishtur automjetin, nuk provon që siguria e dëshmitarit është në rrezik. Maksimumi, e dashura e shtetasit Arsen Rama, që nuk është as subjekt as objekt në këtë gjykim, mund të ketë ndonjë mosmarrëveshje me servisin, apo me ndonjë automjet tjetër të cilit mund t`i kishte zënë parkimin apo rrugën, etj.

 

Po ta kishte marrë seriozisht këtë rrezik Prokuroria do të kishte vijuar me sigurimin e provës së dëshmitarit, apo do të kishte marrë masa për mbrojtjen e tij, sipas ligjeve të posaçme, gjë që nuk ka ndodhur. Prokuroria nuk e mbrojti dëshmitarin jashtë sallës së gjyqit për disa muaj, por kërkoi nga Ju që ta mbroni në sallën e gjyqit, dhe kjo kërkesë ndonëse e pabazuar nuk u vu në dyshim nga ana Juaj, duke më cënuar të drejtën e seancës gjyqësore publike. Gjykata e Posaçme u vu jo vetëm në mbrojtje të shtetasit Arsen Rama por edhe të të dashurës së tij, I referohem në këtë cilësim deklarimeve që ky shtetas dhe e dashura e tij kanë dhënë ditën që kanë konstatuar gërvishtjen e automjetit në rrugë. Po ashtu pranuat kërkesën e prokurorisë për të kundërshtuar thëniet e dëshmitarit Arsen Rama, që ishte dëshmitari i prokurorisë, me dy procesverbale, ku nuk kishte asnjë thënie për ato që donte prokuroria të kundërshtonte. Mjaft që e kërkoi prokuroria, dhe prej Jush, pranohet çdo kërkesë.

 

Së dyti: Siç jam njoftuar, bazuar në nenin 341 të Kodit të Procedurës Penale, drejtimi i seancës gjyqësore bëhet nga Kryetari i trupit gjykues, i cili disponon me anë të urdhërave, të cilët sipas nenit 112 të Kodit të Procedurës Penale duhet të arsyetohen. Seancën e kaluar, gjatë pyetjes së dëshmitarit Arsen Rama, ndërhyrjet Tuaja, përveçse të paarsyetuara, nuk kanë qënë bazuar në nenin 361/6 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit”.

 

Sipas ligjit, Ju, me cilësinë e Kryetarit, mund të ndërhyni, kur dëshmitari pyetet nga pala që ka kërkuar pyetjen, që në rastin konkret ishte prokuroria, për të penguar pyetjet sugjestive. Prokuroria bëri shumë pyetje të tilla, por nga ana Juaj nuk u bë asnjë ndërhyrje. Ndërkohë, gjatë pyetjeve të mbrojtjes, sipas ligjit Ju mund të ndërhyni, vetëm për të siguruar vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe garantimin e respektimit të personit që po pyetej. Ndërhyrjet tuaja nuk kanë qënë në asnjë rast të natyrës që ligji Ju ka njohur, por keni penguar mbrojtësit të bëjnë pyetjet që kanë vlerësuar, shpesh duke penguar dëshmitarin të përgjigjet, ose keni dhënë Ju përgjigjen. Duke qënë se me mënyrën e drejtimit të seancës së kaluar, nga ana Juaj, është kufizuar e drejta ime për t`u mbrojtur sipas vlerësimit tim, bëj këtë deklaratë, në ushtrim të të drejtave të mia sipas nenit 358 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në shkresën drejtuar GJKKO-s.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *