Një 21 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi dyshohet se është autor i 15 vjedhjeve.
Uniformat blu raportojnë se A. L., nga muaji prill deri në muajin tetor të këtij viti, ka vjedhur shuma parash, steka me cigare dhe produkte të ndryshme ushqimore, në 15 dyqane të ndryshme private në Durrës.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet, pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Seriali”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Zbardhen 15 vjedhje të ndodhura muajt e fundit, në Durrës.
Vihet në pranga autori i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve të tyre para përgjegjësisë ligjore, pas një hetimi disamujor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Seriali”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:
– A. L.,21 vjeç, banues në Pjezë, Durrës, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, nga muaji prill deri në muajin tetor të këtij viti, ka vjedhur shuma parash, steka me cigare dhe produkte të ndryshme ushqimore, në 15 subjekte të ndryshme private në qarkun e Durrësit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjete të ndryshme, që ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.