Fituesi i Topit të Artë Karim Benzema nuk është më një futbollist i Realit të Madridit. Lajmin e ka bërë me dije klubi spanjoll me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku ka zyrtarizuar lamtumirën e kapitenit.
Sulmuesi francez bëhet lojtari i katërt që ndërpret bashkëpunimin me Realin pas Marko Asensios, Eden Hazard dhe Mariano Diaz.
Kështu Benzema është gati për një aventurë të re, ku pritet të transferohet në Arabinë Saudite, me kontratën e re që pritet të përfitojë 200 milionë dollarë.
Francezi u transferua te Reali në vitin 2009 dhe luajti për “galaktikët” për plot 14 vite. Ai luajti 647 ndeshje duke shënuar 353 gola dhe duke fituar 24 trofe, përfshirë 5 Liga Kampionësh dhe 1 Top të Artë.