Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Berat, si rezultat i punës hetimore, bënë të mundur zbardhjen e aksidentit rrugor, me pasojë vdekjen, të ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Polizhan, si dhe identifikimin, lokalizimin dhe vënien në pranga të drejtuesit të automjetit, i cili u largua menjëherë nga vendi i aksidentit.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi Bashkim Doksani, 50 vjeç, banues në fshatin Gajdë, Poshnje, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Nga veprimet hetimore, rezultoi se ky shtetas, në aksin rrugor “Berat-Ura e Kuçit”, në afërsi të fshatit Polizhan, duke drejtuar automjetin kamionçinë tip “Benz”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasin I. Ç., 72 vjeç, banues në fshatin Polizhan, Dimal, i cili po lëvizte me biçikletë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.