Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për fushën e re sanitare të mbetjeve urban. I shoqëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, Rama u shpreh se sapo kanë përfunduar punimet për fushën e re sanitare të mbetjeve urbane, ky investim i mundëson bashkisë Berat depozitimin e mbetjeve me standarde mjedisore europiane, deri në ndërtimin e fushës sanitare rajonale të mbetjeve që do të mbulojë disa bashki.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo bërë të ditur se ky landfill plotëson pjesën më të madhe të standardeve dhe “kemi arritur të bëjmë absorbimin e të gjithë mbetjeve 20 vjeçare, të cilat tashmë janë venddepozituar në fund. Tashmë kemi një landfill, i cili krijon mundësinë që për 5 vitet e ardhshme të mbulojë gjithë nevojat e bashkisë së Beratit. Kjo është bërë falë një granti nga qeveria zvicerane”.
“Gjatë verës kishte raste kur vend depozitimi merrte zjarr. Këtu kemi vaskat e filtrimit të ujërave. Kemi bërë një mbrojtje nga shtrati i lumit sepse ka qenë shumë afër lumit Osum dhe ka qenë një nga problemet kryesore sepse gjatë dimrit kur rritej niveli i ujit një pjesë e madhe e mbetjeve kalonte në lumin Osum. Për shkak të sezonit të verës të gjithë ujërat që filtrohen vetë, avullojnë dhe në dimër kanë të gjithë kapacitetin e nevojshëm që asnjë pjesë e ujërave që dalin nga landfilli të derdhen në lumin Osum”, – nënvizoi Demo.
Sipas tij, në 30 vitet e fundit ky venddepozitim ka qenë një gangrenë për bashkinë e Beratit.
Më tej, Demo tha se “kemi arritur të krijojmë një model, i cili nuk arrin të krijojë kosto shtesë. Me burimet e brendshme të bashkisë do të plotësojmë të gjithë standardet e depozitimit sipas parashikimeve që ka bërë vetë projekti. E njëjta gjë ka ndodhur edh në dy bashkitë e tjera edhe në Dimal edhe në Kuçovë, po ashtu të financuara nga projekti i qeverisë zvicerane”
/Priza.al/