Dy persona janë arrestuar në Berat, pasi ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit online.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale F. P., 45 vjeç dhe E. Xh., 23 vjeç.
Sakaq uniformat blu kanë sekuestruar në total 7 pajisje elektronike.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. P., 45 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lokalit që administronte u gjetën dhe u sekuestruan dy pajisje elektronike të cilat dyshohet se përdoreshin për lojëra fati online.
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin E. Xh., 23 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në ambientet e lokalit që administronte u gjetën dhe u sekuestruan 5 pajisje elektronike të cilat dyshohet se përdoreshin për lojëra fati online.
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.