Në mes të sezonit turistik në 31 korrik, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli tenderin për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës. Kontrata është për katër vite, pra deri në 2027-tën. Rreth 380 milionë Lekë vendosi në dispozicion ARRSH për fituesin. .
Por gara shkoi ashtu sikur kanë qenë shumica dërrmuese e tenderave që ka firmosur Evis Berberi si drejtues që kur ka marrë “timonin” e këtij institucioni. Më njollë. Flamuj të kuq. Sinjalizime. Por deri tani asnjë veprim konkret nga institucionet e drejtësisë.
Por çfarë ndodhi me këtë tender?
Në garë morën pjesë tre kompani. “Salillari”, “4 A-M” dhe “Alko Impex Construction”. E para dhe e treta u eliminuan nga gara. Dhe në fund fitues u shpall kompania “4 A-M”. Kjo kompani dha gati 100% të ofertës që ishte në dispozicion. Konkretisht fituesi u shpall me 378.2 milionë lekë nga 379.2 milionë që ishte tavani.
Dyshimet
Fituesi i këtij tenderi prej rreth 3.8 milionë Euro, kompania “4 A-M” e kishte nën mirëmbajtje tunelin e Krrabës dhe tashmë është rinovuar kontrata edhe për 4 vite të tjera. Por dy kompanitë e tjera që janë skualifikuar dhanë oferta më të ulëta se fituesi.
Konkretisht 333 milionë dhe 339 milionë lekë krahasuar me 378 milionë që ishte oferta e kompanisë “4 A-M” pas së cilës me letra qëndron Ardit Metaliaj, por sipas burimeve mediatike dhe denoncimeve është një oligark me lidhje të forta nga dy krahët.
Dy ofertat janë skualifikuar me argumentin se janë fituese në projekte të tjera. Flamuri i kuq është ngritur nga faqja që monitoron prokurimet publike duke sinjalizuar dyshime se diçka nuk shkon, por duket se edhe oligarkët janë marrë vesh mes tyre duke ndarë “llokmat” për të vijuar në heshtje me bekimin e “berberit” të fondeve publike.