Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Berat ditën e sotme ku një i mitur i ka vënë flakën një banese në lagjen ‘Dëshmorët e Kombit’. I mituri 10-vjeçar teksa luante me shkrepëse i ka vënë flakën lodrave të tij e është larguar me vrap nga frika.
Zjarri ka përparuar me shpejtësi në të gjithë ballkonin në katin e dytë të pallatit, duke shkrumbuar tërësisht orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në ballkonin e përshtatur nga familja në dhomë gatimi.
Flakët e zjarrit që ishin duke përparuar edhe brenda banesës por edhe duke rrezikuar katet e sipërme të pallatit janë parë nga gjyshi i fëmijës 10-vjeçar,që ka njoftuar menjëherë zjarrfikësen. Ka qenë ndërhyrja në kohë e Repartit Zjarrfikës që ka bërë të mundur lokalizimin e shpejtë të flakëve dhe shuarjen e zjarrit që rrezikonte edhe hyrjet e sipërme të pallatit.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodhej vetëm djali 10-vjeçar me gjyshin, të cilët kanë dalë jashtë pa lëndime dhe të tmerruar, ndërkohë që flakët përhapeshin me shpejtësi. Burime të zjarrfikësve në vendngjarje kanë deklaruar se shkak i zjarrit ishte pakujdesia e djalit që ishte duke luajtur me shkrepëse në ballkon. Zjarri i rënë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ballkonin dhe një nga dhomat e banesës, ndërkohë që tymi dhe era e keqe është përhapur në të gjithë pallatin.
/Priza.al/