Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot se gjatë tre muajve të fundit nga 112 mandat arreste të lëshuara nga Altin Dumani 80% e të kërkuarve janë arratisur.
“Bosët e 7 familjeve më të rrezikshme në Shqipëri, Ballkan dhe Europë të lidhura me Ramën u arratisën. Në paketën e dytë të arrestimeve u arrestuan 4 nga 17 dhe të tjerët ia mbathën. Në serinë e tretë me mbledhjen e dosjes Toyota Yaris në të cilën vetëm në portin e Durrësit u vodhën 2 milionë euro nga 5.4 që erdhën, u zhdukën 2 mln. Rihapja e kësaj dosje bëri që SKAP-i të lëshonte 4 mandate arresti por nga të cilat vetëm prokurori Zarko u arrestua, tre të tjerët ia mbathën.
Së fundmi, këto dy ditë, po mbi regjistrimet e ardhura nga partnerët, nga SKAP u lëshuan 36 urdhra arresti, nga të cilët 8 persona ishin në burg për vepra të tjera, 11 persona u arrestuan, ndërsa 17 të tjerë u njoftuan për t’u larguar në drejtim të paditur. Në këtë Metamorfozën e fundit që dolën të implikuar, gjyqtarë, shefa krimesh dhe burgjesh, personazhi më i lakuar është Taulant Balla me tre mbiemra, por komunikimet e tij kriminale u fshehën nga Altin Dumani dhe Alfred Shehu, prokurori kriminel, bashkëpunëtor i Mehmet Grecës dhe bandave të Elbasanit, që me 21 prill 2021 do të mashtronte publikun duke deklaruar si kriminel se në makinën e Grecës, trafikantit të dënuar në Britani për gjysmë kuintali kokainë nuk kishte materiale elektorale kur ajo ishte plot.
Si përmbledhje gjatë tre muajve të fundit nga 112 mandate të lëshuara nga Dumani, 15 janë lëshuar për të burgosur, 97 mandate janë lëshuar për persona të lirë, nga 97 mandate janë ekzekutuar 19 mandate apo vetëm 20% e tyre dje janë larguar 78 persona apo 80% jashtë apo brenda vendit. Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi 88.7% të mandateve vetëm në një rast.
PD dënon lojën e Dumanit dhe SKAP-it të partisë. Kjo gjendje dhe lojë kriminale e Dumanit është dëshmi e pazareve prej qindra mijëra apo miliona euro që kriminelët paguajnë SKAP-istët apo Dumanin që të largohen. Kjo është lojë me jetën e cdo shqiptari. Kjo është zbatim e platformës së rrezikshme të Ramës që banditët t’i hanë kokën njëri tjetrit dhe Rama t’i menaxhojë për qëllimet e tij elektorale. PD shpall platformën për zero tolerancë ndaj krimit” tha ai.