Kryetari i PD-së, Sali Berisha në një deklaratë për mediat sulmoi kryeministrin Rama për amnistinë fiskale. Berisha dënon këtë projekt të qeverisë, që sipas tij është për interes të klanit mafioz të Ramës.
Sipas Berishës, ky projektligj që pritet të jetë në rendin e ditës në seancën e Kuvendit të enjten, është një proces gjigant i larjes së parave të krimit me procedura ligjore nga Shqipëria
“Edi Rama iu servir shqiptarëve çdo ditë në qëndrimin e vendimeve interesat e krimit, të mafies, dhe të klanit të tij personal. Duke bërë avokatinë e këtyre interesave, Rama, vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre. Në kundërshtim flagrant në interes të çdo qytetari shqiptar për llogari të klanit të tij mafioz ai sfidon çdo shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale, çka do të thotë; një mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale shqiptare, jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. Çfarë do të thotë, një proces gjigant dhe i paparë ndonjëherë, i larjes së parave të krimit me procedura ligjore nga Shqipëria. Çka do të thotë fuqizim i madh i organizatave kriminale dhe mafies shqiptare në rajon dhe botë. Do të thotë injorim tërësor i çdo forme të lirë konkurrence, një goditje fatale për biznesin e ndershëm shqiptar.”, tha Berisha.