Berisha akuza Ramës: Tirana u rrafshua, nga 26 monumente kulture të shpallura kanë ngelur 2-3

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur këtë të enjte një takim me intelektualë në Tiranë, për të diskutuar mbi sfidat e kryeqytetit.

Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal te arkitektura dhe infrastruktura e qytetit, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për badërdi urbane gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryebashkiakut.

Berisha shtoi se me ardhjen e tij në qeveri Edi Rama iu vërsul Zonës së Mbrojtur të kryeqytetit, ku prishi pothuajse të gjitha monumentet kulturore, përfshirë dhe Teatrin Kombëtar.

“Tirana kishte vila luksoze nga më të bukurat, kishte shtëpitë tradicionale të saj. Mbetej një qytet thellësisht njerëzor. Njerëz fisnik që kishin ndërtuar qytetin dhe jetën e tij. Epoka e socializmit ishte një epokë që fshiu disa nga pjesët më të gjalla sepse shpeshherë kujtoj Pazarin e Vjetër, kujtoj Quartier Latin, lagjja më e hershme e Parisit, e cila ndodhet afër Notre Dame, me kalldrëme por me gjallërinë më të madhe në Paris.

U bënë ndërtimet socialiste që duhet pranuar aspak të paraqitshme, por me urbanistikë rigoroze. Blloqe ashtu siç ishte planifikuar, por mes pallateve nuk ndërtoi kush. Tirana njohu batërdinë me ardhjen e Edi Ramës në krye të bashkisë. U mor me bojatisje dhe ishte gjë normale, por në 11 vite nuk bëri planin e qytetit. Në 11 vite e kafshoi qytetin siç deshi, krejtësisht mbi parime korruptive. Ai kishte një stil, gjithë javën rrinte në Pezë dhe dilte të shtunë dhe të dielë për t’iu thënë qytetarëve që unë vdes në punë. Në 4 vite ka ndërtuar 12 kilometra rrugë.

Gjatësia e rrugëve është disa mijëra në Tiranë. Bëri një gjë të mirë, bëri një vendim qeverie për të shpallur Zonë të Mbrojtur atë që duhet shpallur në këtë zonë dhe më pas ai ju vërsul kësaj zone për të rrafshuar pothuajse të gjitha monumentet kulturore. Nga 26 monumente kulture të shpallura, janë zhdukur dhe kanë ngelur 2-3 dhe ato presin kohën për tu rrafshuar.”, tha Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *