Kreu i ‘Rithemelimit’ Sali Berisha ka denoncuar se në Shkodër Edi Rama ka bërë paqe mes 5 bandave kryesore. Në fjalën e tij në mbledhjen e kryesisë, Berisha deklaroi se bandat darkonin me qeveritarët dhe merrnin misionet për kontrollin e votës.
Sipas tij, makineria e krimit u përdor në të gjitha zonat ku Rama donte me domosdo të merrte mandatin e kryetarit të bashkisë.
Berisha: “Në Shkodër Rama vendosi paqe mes 5 bandave kryesore. Makineria e krimit funksionoi aty ku e donte mandatin me çdo kusht
Në makinerinë e terrorizimit elektoral të zgjedhjeve, nuk mjaftoi vetëm pushteti, por u përdorën edhe bandat, qoftë në shoqërim të zyrtarëve në takimet e tyre, qoftë në misonin e terrorizmit të zgjedhësve dhe shpërndarjes së parave.
Nga se përbëhej makineria e terrorizimit të shqiptarëve në këto zgjedhje? Ajo ishte një amalgamë, një konglomerat i qeveritarëve, zyrtarë, banditëve dhe kriminelëve.
Në Shkodër, Rama vendosi paqe mes 5 bandave kryesore të zonës dhe të gjitha me në krye Bajrët, të cilët u liruan nga burgu, u vërsulën dhe me makina të blinduara i binin Shkodrës kryq e tërthor duke ushtruar terror pranë qendrave të votimit.
Bandat darkonin me qeveritarët dhe merrnin misionet. Sigurisht misione për kontrollin e votës, për grabitjen e votës.
A ishte kjo situatë në të gjithë Shqipërinë? Jo, nuk ishte në të gjithë Shqipërinë, duhet të jemi realistë. Kjo ishte në të gjitha zonat ku ai me çdo kusht donte të merrte mandatin.”