Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Ditën e Qëndresës Qytetare, kritikon ashpër buxhetin e paraqitur nga qeveria, duke e cilësuar si një “vjedhje” të madhe.
Ai theksoi se për 800 mijë pensionistët shqiptarë janë parashikuar vetëm 16 milionë euro, ndërsa për fermerët, buxheti i këtij viti alokon vetëm 40 milionë euro, një shumë shumë më e vogël se ajo e shteteve të tjera si Maqedonia, Kosova dhe Serbia.
Berisha akuzoi qeverinë e Ramës për neglizhimin dhe përçmimin e sektorit të bujqësisë, duke vënë në dukje se ndërsa buxheti i BE-së ishte 160 milionë euro për fermerët shqiptarë, këto mjete janë “vjedhur” dhe nuk kanë mbërritur kurrë te ata.
“Të dashur miq, sot në parlament paraqitet buxheti 8 miliardë euro.
E kam theksuar dhe e theksoj, buxheti i vjedhjes më të madhe në të gjithë historinë tonë kombëtare.
Buxheti, në të cilin, për rreth 800 mijë pensionistë shqiptarë, janë vendosur gjithsej 16 milionë euro.
Nga 8 miliardë, janë vendosur 16 milionë për rreth 800 mijë pensionistë, të cilët sot e blejnë bukën 100 përqind më shtrenjtë se në vitin 2013.
Sot blejnë ushqimet bazë 60 gjer në 100 përqind më shtrenjtë se 10 vite më parë.
Pra, sot pensioni i tyre vlen minimumi 40 përqind më pak se 10 vite më parë.
Por, a mos janë vetëm pensionistët të përbuzurit, të përçmuar, të injoruar nga narkohajdutët Edi Rama dhe ekipi i tij hajdut?
Jo mor jo, kështu janë sot 40 përqind e shqiptarëve, të cilët vazhdojnë jetesën në fshat.
Këto ditë kam lexuar, dhe ndoshta edhe ju i keni parë, titujt e portaleve dhe gazetave se vaji i ullirit ka arritur çmimin maksimal.
Miqtë e mi, dy vjet më parë prodhimi i ullirit arriti në 160 mijë ton, sepse rrënjët e ullirit u financuan dhe u mbollën nga 4 milionë që kishin ardhur në gjithë shekujt, arritën në 11 milionë.
Ju lutem, a keni dëgjuar ju këto 10 vite të jetë përdorur njëherë fjala ulli nga Edi Rama? E konsideron pemë armike sepse e trefishoi në mbjellje qeveria e PD.
Ndaj dhe ka ndërprerë çdo financim, përkundrazi edhe 160 milionë euro që i dha BE për fermerët shqiptarë, i vodhën ministrat, i vodhën zyrtarët për hotele, për motele, për të blerë troje turistike, për ahengje, dhe vetëm fermerët nuk i morën.