Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, është shprehur se Kuvendi ka përjashtuar nga rendi i ditës nismën për ligjin e lustracionit. Berisha e cilëson si të rëndësishëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës.
“Përsëri parlamenti përjashton nismat tona me një qëndrim politik të dënueshëm antikushtetues. Në parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish persekutorët e diktaturës komuniste. Ligji, tani ka bazë të plotë kushtetuese sepse në Kushtetutën e vendit është i sanksionuar për gjykatësit e prokurorët pavarësisht se është shkelur dhe nuk është zbatuar. Megjithatë baza ekziston, ideja e zëvendësimit të këtij neni me një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor është hakmarrëse, e cila nuk bazohet në parimet e lustracionit.
Do të insistojmë për sjelljen e këtij ligji që ka standardet më të mira dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë tjetër meqë është i sanksionuar në Kushtetutë si proces. Mossjellja e ligjit ka veç një synim, përdorimin e amendamentit të Ballës të cilën e mbështeti edhe Alibasha për gjah shtrigash. Ligji ka rregullat e veta dhe transparencën e plotë”, tha Berisha.