Partia Demokratike do të mbledhë ditën e enjte Këshillin Kombëtar të saj, për herë të parë pas mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të 18 dhjetorit.
“Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, në vijim të njoftimit të bërë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 12 Dhjetor 2021, pas vendimit të Kryesisë së Partisë, ju njoftojmë se mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet ditën e enjte, datë 23 Dhjetor 2021, ora 17:30 në sallën e mbledhjeve kati i 2, sipas rendit të ditës të njoftuar në mbledhjen pararendëse”- shkruhet në mesazhin e shpërndarë për anëtarët e Këshillit nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Mbledhja është thirrur pas zhvillimeve të fundit në godinën e PD, ku Sali Berisha hyri me forcë dhe mbajti prej andej mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit të Partisë, të ngritur pas Kuvendit të 11 dhjetorit dhe më pas edhe një konferencë për shtyp.
Në konferencën pasuese Lulzim Basha e cilësoi Berishën ish-deputeti i Partisë Demokratike, duke nënkuptuar një vendim të mundshëm përjashtimi përfundimtar të tij edhe nga anëtarësia e PD. Duke qenë se Berisha, sipas vendimeve të Bashës dhe Kuvendit të organizuar prej tij, nuk mban asnjë post në forumet drejtuese të partisë, ai mund të përjashtohet në mbledhjen e së enjtes së Këshillit Kombëtar.
Burime të Gazetës Shqip e konfirmojnë se edhe ky vendim drastik mund të merret në konsideratë nga Këshilli Kombëtar ditën e enjte.
Sali Berisha organizoi mbledhjen e Komisionit të Rithemelemit të PD-së brenda godinës së PD-së kur në të njëjtën kohë Basha po mbante konferencë për mediat. Hyrja e Berishës u shoqërua dhe me një incident, pasi një i ri i identifikuar si Fatjon Dauti shpërtheu derën me shkelm. Lideri historik i PD-së deklaroi se do t’i dërgohet kryetarit aktual të selisë blu vendimi i shkarkimit me referendum, i cili u mbajt në 18 dhjetor.
Po në këtë datë, Kuvendi i Jashtëzakonshëm demokrat i thirrur nga Basha vendosi shkarkimin e Berishës nga të gjitha funksionet brenda partisë duke miratuar propozimin e Kryesisë për shkarkimin e të gjithë funksionarëve partiakë që janë të shpallur “non grata” ose preken nga ligji i dekriminalizimit.