Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se gjyqi për 3 marsin që do zhvillohet për vulën e Partisë Demokratike, është i fituar nga Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “Now”, Meta nënvizoi se ka një vendim gjykate që njeh Statutin e dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit 2021 dhe që kryetar është Berisha.
Sipas Metës, regjistrimi në gjykatë pengohet nga kryeministri Edi Rama.
“Partia Demokratike e ka fituar gjyqin. Është një vendim gjykate, është publik, zyrtar dhe e bën të qartë që është kjo parti, e 11 Dhjetorit dhe që ka zgjedhur kryetar zotin Berisha. Por siç e dini ju, është një urdhër i Edi Ramës që kancelari të mos e regjistronte këtë vendim në gjykatë. Është tregues i Ramaformës, se çfarë u katandis reforma në drejtësi, nën kontrollin e plotë të Edi Ramës”, u shpreh ai.
Më tej ai e kërcënoi hapur kryeministrin Edi Rama.
“Çdo gjë që do të bëjë Edi Rama do t’i kthehet në një bumerang të paimagjinueshëm. Ai bën planet e veta, por ato janë kaq të qarta, kaq të lexueshme saqë nuk e parashikon dot atë përgjigje që do t’i vijë”, tha Meta.
Sipas tij, kryeministri është një kërcënim për lirinë e çdo qytetari shqiptar.