Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se është i bindur që kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim kanë dashur shkatërrimin e Partisë Demokratike.
Në fjalën që mbajti në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha foli për vendimin e marrë nga Gjykata për vulën e PD-së dhe tha se e gjitha ka qenë një porosi e Ramës dhe Kim. Ai shtoi se këtë gjë që bazon në një dokument ku sipas tij, shkruhet urdhri i dhënë prej tyre.
Pjesë nga fjala e Berishës:
“Pas këtij vendimi ka patur në forume diskutime të frytshme, të hapura. Në kryesinë e PD-së, grupin parlamentar, sot me të gjithë kandidatët dhe natyrisht është Këshilli Kombëtar ai që do të marrë vendimet përfundimtare. Por në të gjitha këto diskutime mund të ju informoj se ka mbizotëruar me përgjegjësi të plotë tërësisht vendosmëria për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të fituar zgjedhjet. Mos harroni, qëllimi i Edi Ramës, por ç’është e vërteta e kam këtu dokumentin me shkrim, edhe i guvernatores Kim ka qenë shkatërrimi i PD-së, në mënyrë tekstuale po ju them. Por ne nuk kemi ndërmend, ne kemi ndërmend të kthehemi në forcën më të fuqishme të këtij vendi, në forcën qeverisëse të këtij vendi, në lokomotivë siç kemi qenë të zhvillimit dhe integrimit të saj në BE. Dhe ne ekzistojmë dhe do të ekzistojmë sa kohë që shqiptarët të ruajnë idealet e lirisë, shqiptarët të besojnë se me mundin, djersën e tyre në këtë vend të bekuar mund të ndërtojnë të ardhme, gjithnjë e më të mirë. Pra nuk ka patur, ju them këtu ju, asnjë mendim tjetër përveç pjesëmarrjes dhe këtë unë e vlerësoj shumë, qoftë të kandidatëve, qoftë të drejtuesve të tjerë. Por pjesëmarrja në zgjedhje është aspekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por aspekti i dytë është, ne duhet ti qëndrojmë dhëmb për dhëmb këtij armiku të egër të shqiptarëve”.