Sali Berisha ka folur sërish për Elira Kokonën, ku e akuzon këtë të fundit për bashkëpunim me ministren Kumbaro dhe kryeministrin Rama, ku thotë se paratë që iu merrte klientëve në gjykatat e Tiranës që kishin paditur shtetin, i ndante me ministren dhe kryeministrin. Sipas Berishës, ajo duhet të ishte dënuar me 6-12 viet burg, ndërkohë shton ai, e mbrojnë paratë të cilat i ka dhënë zonjës Sherri dhe Rama.
Berisha: Se kjo zonja Kumbaro, që ta dini ju e ka dosjen plot, edhe e garantoj që ajo dosje do ta ndjekë gjithë jetën e vet. Ajo ka abuzuar në mënyrë të tmerrshme me tenderat në Ministrinë e Kulturës. Kjo zonja Sherr, ka mbajtur Sekretare të Përgjithshme për shumë kohë, derisa i çoi Edi Ramës një zonjë tjetër të quajtur, Elira Kokona, mbesa e Petrit Dumes.
Zonja Kokona në një kohë që organizonte të gjithë tenderat në Ministri të Kulturës, sipas standarteve të ministres bënte avokaten në Strasburg dhe në gjykatën e Tiranës të klientëve që kishin paditur shtetin. Në historinë e botës, veç me ndrikull Kumbaron dhe Edi Ramën, kjo nuk mund të ndodhë.
Tani, çfarë ndodhte? Sigurisht, si avokate që klientët kishin paditur shtetin në Strasburg dhe shuma shumë të mëdha. Paratë që iu merrte klientëve në gjykatat e Tiranës që kishin paditur shtetin, i ndante me ministren, kryeministren, me qeveritarët. Se ndryshe ajo duhet të ishte sot e dënuar të paktën 6-12 vite burg. Kurse e mbrojnë paratë të cilat i ka dhënë zonjës Sherri dhe Rama.
A e kupton përfaqësuesi këtu i forcës tjetër se kë përfaqëson? A e kuptojnë qytetarët se ai përfaqëson një ministre, e cila është nga më abuzivet? A kupton ai se përfaqëson një kryeministër, një parti e cila ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e tmerrshme të varfërisë. Ku shkojnë shqiptarët? Pse ikin shqiptarët? Pse nga Libohova janë larguar 40% e banorëve të saj? Pse nga Shqipëria janë larguar 35% e banorëve? Shkaku është një dhe vetëm një varfëria, dhe tirania e varfërisë.