Kryedemokrati Sali Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së ka hedhur akuza të forta në lidhje me aksionin e qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, që sipas bëhet për interesa të mazhorancës.
Berisha ka deklaruar se dispozita ligjore e thotë qartë se personat që kryejnë ndërtime pa leje duhet të dënohen deri në 8 vite burg, por sipas kryedemokratit ndërtuesit po favorizohen nga kjo skemë.
“Me vendim qeverie bllokohet sistemi i Drejtësisë. Me vendim qeverie, vendoset një standard i tmerrshëm në vend. Ligjet e vendit kanë parashikuar, se çdo ndërtim pa leje, konfiskohet dhe se autori i këtij ndërtimi dënohet sipas llojit të ndërtimit 5 deri në 8 vjet burg. Këto gjenden në Kodin Penal dhe të votuara nga kjo pseudomazhorancë,. Bazuar në këto dispozita, nëse ndërton një kotec, një çati shtëpie, apo rregullon një banjë janë dënuar 3400 qytetarë shqiptarë.
Janë ndjekur penalisht mijëra të tjerë, kurse tani kur vjen problemi tek kullat dhe pallatet e qeverisë, ligji nuk ekziston, Edi Rama i amniston këta persona.
Ky është dhunim flagrant i Parlamentit të Shqipërisë, pasi vetëm ai e ka të drejtën e amnistisë.
Për pallatet mbi 8 katësh, nuk ka penalizim, por po iu jepet hipoteka nga Rama, i cili sipas qytetarëve është aksioner në çdo kullë në Tiranë”, tha Berisha.