Sali Berisha ka kryer homazhe në nder të mjekut Isuf Kalo, që po kryhen pranë ambienteve të Akademisë së Shkencave. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se Kalo ka lënë kontribut të çmuar në Shqipëri dhe Europë.
“Erdha të shpreh nderimin, ngushëllimet, dhimbjen për humbjen e një miku, me të cilin na bashkon një miqësi e pasionuar në shumë dekada. Prof. Dr. Isuf Kalo u nda nga jeta, por ai ka pasur dhe ka lënë një kontribut të çmuar në Shqipëri dhe Europë, në shkencën e diabetologjisë, si dhe në standardizimin e shërbimeve mjekësore. Shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të profesor doktor Isuf Kalos”, tha Berisha.
Ndarja nga jeta në moshën 80-vjeçare e mjekut të njohur endokrinolog, profesor Isuf Kalos ka lënë pas një dhimbje të madhe tek familjarët, miqtë dhe kolegët. Ata e kujtojnë Kalon si një profesionist që dha shumë në fushën e endokrinologjisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe si një intelektual e njeri me zemër të madhe që ka mbështetur e inkurajuar shumë bluza të bardha në karrierën e tyre.