Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme konferencën e përjavshme me gazetarët. Ndër të tjera ai u ndal sërish edhe në skandalin ndërkombëtar të ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal të arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lidhjeve të tij me kryeministrin e vendit tonë. Kreu demokrat i kërkoi DASH dhe të hetojë veprimtarinë e vizave të dhëna nga ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim.
Pjesë nga fjala e Berishës: E vërteta është se historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të blacklistuar dhe përgojoheshin emra.
Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën.
Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i gjobitur ata në mënyrën më antinjerëzore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim. Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat. I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare.
I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme. Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit.
Ne do kontribojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama.