Kreu i Remethimit, Sali Berisha deklaroi sot në seancë se si mund të rriten rrogat e mësuesve, policëve, ushtarakëve etj. Ai e cilësoi akt të turpshëm dyfishimin e rrogave për zyrtarët e lartë, teksa tha se pagat e tjera në raport me inflacionin zbriten me 1%. Berisha e nisi fjalën e tij me rezultatin e zgjedhjeve, duke përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Jam këtu në emër të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë të cilëve me mekanizmat më kriminale të hapura dhe nën dorë iu konfiskua vota dhe vullneti i tyre i lirë. Farsa elektorale 14 maj 2023 do hyjë në histori si faqja më e zezë në Europë pas rënies së perdes së hekurt. Në këtë farsë e cila pati si fitimtarë narkoshtetin dhe kartelet e drogës narkoqeveria e Edi Ramës për herë të parë në 32 vite përdori zarfin elektoral me 50 mijë lekë për çdo pensionist 683 mijë gjithsej sikundër shpalli dhe realizoi rritje rrogash në mes të fushatës me qëllim blerjen e votës. Në këtë fushatë për të gjithë ata të cilët thonë se rezultati ishte i thellë dhe bëjnë avokatinë e megakrimit elektoral, partia e blerjes së votës, aleati kryesor i kësaj partie Tom Doshi, rriti mbështetjen e saj 240%.
Sigurisht Tom Doshi nuk ka as 1/100 e pasurive që administron Edi Rama dhe as 1/1000 e mekanizmit të shpërndarjes së parave që disponon Edi Rama. Blerësi më i madh i votave nën dorë është Edi Rama me ministrat e tij. Në rast se Tom Doshi e rriti me 240% blerjen po Edi Rama me sa e rriti”, tha Berisha.
Sipas tij, Edi Rama ia doli të angazhojë të gjitha bandat në Shqipëri, t’i angazhojë ndaj qytetarëve, të shpërndajë qindra miliona euro me të cilat rrëzoi përtokë monedhën europiane.
“Ky parlament qëndron mbi krimin çdo ditë që pajtohet me një situatë të tillë. jam këtu për të dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë farsë të turpshme zgjedhore.
Për t’iu bërë thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatin e lirive tona. për t’u përulur para atyre 500 mijë burrave dhe grave që nuk pranuan të shiten e trysnohen.
Keni sjellë këtu një ligj të cilin pavarësisht kundërshtive do kisha dashur ta votoja sepse kam qenë jam dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave e pensioneve. Kam bindjen më të thellë se vetëm me gjysmën e atyre që vidhni çdo ditë do i dyfishonit të rrogat. Por nuk e votoj sepse institucionet e pavarura se ndërsa ju dyfishoni rrogat e zyrtarëve të lartë, zbrisni me 1% në raport me inflacionin rrogat e mësuesve, të policëve, të ushtarakëve, përveç gardës e cila rritet me 3-4%. Kryeni një akt të turpshëm! Për vete rrisni rrogat, për të tjerët bëni një indeksim. Indeksim me inflacionin 1-vjeçar nga 2022 në 2023”, deklaroi Berisha.