Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me strukturat në Tepelenë. Berisha deklaroi kjo fushatë elektorale është në kushtet e monizmit njëlloj si në vitin 1991.
Berisha tha se maxhoranca krijon çdo kusht e rrethanë që opozita të bojkotojë parlamentin, por ne nuk e dorëzojmë.
“Ju falënderoj përzemërsisht për këtë pritje vëllazërore. Përulem me nderim të madh para secilit prej jush në këtë përpjekje të dytë të madhe, ku po përballemi me monizmin e dytë, të vendosur në Shqipëri nga një grup i rilindjes!
E vërteta është se ky grup nuk ka asnjë interes shoqëror apo kombëtar. Ata kanë vetëm një interes: pasurimin e shfrenuar në kurriz të çdo shqiptari.
Pra, ne vijmë në këtë fushatë elektorale, në kushtet e monizmit njësoj si në vitin 1991.
Edi Rama ka mbërthyer të gjitha pushtetet. Ju e shihni se si përdoret parlamenti sot. Në mënyrën më të shëmtuar, në mënyrën më antikushtetuese, më banditeske. Bëhet gjithçka që ne të largohemi nga parlamenti. Por ne nuk do e bojkotojmë parlamentin, nuk do e dorëzojmë sepse nuk duam që interesat tuaja të pushojnë së mbrojturi në parlament”, tha kreu i PD.
Ai theksoi më tej se njësoj si në vitin 1991, ne jemi në një revolucion.
“Sigurisht nuk ka revolucion ku merr pjesë shumica, sepse shumica nuk bëhet misionare, misionarë bëhen idealistët. Revolucionet i bën pakica, fitoren e firmos shumica.
Një nga rrafshet më kryesore të revolucionit është që kandidatët tanë të jenë fitimtarë në Tepelenë, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër. Qëllimi ynë është që shqiptarët të votojnë të lirë.
Ne do bëjmë gjithçka për përmbysjen e këtij regjimi. Fakti është se i ka varfëruar shqiptarët në këto 9 vite me një shpejtësi marramendëse, vetëm e vetëm duke i vjedhur”, deklaroi Berisha.