Opozita kundërshton shifrat e Censit që u publikuan ditën e sotme. Ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja që tashmë është pjesë e PD-së renditi dy arsye se përse sipas saj shifrat janë të manipuluara.
“Sot INSTAT publikoi të dhënat e Census-it për numrin e popullsisë dhe banesave. Në të dyja rastet ka manipulim. Sepse, sipas INSTAT popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë dhe për 12 vjet janë shtuar vetëm 70 mijë banesa. Ky është një mashtrim krye e këput. E para, manipulimi i të dhënave me numrin e popullsisë së mbetur në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, nga Shqipëria janë larguar mbi 900 mijë banorë vetëm në vendet e Bashkimit Europian, pa përfshirë këtu ata që janë larguar në Britaninë e Madhe, Kanada, Autrali, SHBA etj, për të cilët nuk ka një llogaritje zyrtare.
E dyta, numri i banesave nuk mund të jetë shtuar vetëm me 70 mijë për 12 vite sepse në një llogaritje të thjeshtë vetëm në Tiranë për 3 muaj Erjon Veliaj ka dhënë 231 mijë metra katrorë për ndërtim. INSTAT-i ka mashtruar edhe me numrin e banesave.
Numri real i popullsisë ka qenë një çështje shumë e diskutuar si pasojë e largimeve të shumta nga Shqipëria në vitet e fundit. Si rrjedhim, përgjigje për këtë mund ta jepte vetëm një regjistrim popullsie i rregullt dhe i saktë, i cili sipas rezultateve të publikuara sot nuk ka ndodhur” tha ajo.
Edh Partia e Lirisë, përmes Presidentit të saj, Ilir Meta i kundërshtoi shifrat. “Shifrat janë të trukuara, ndaj edhe vonesa e këtyre publikimeve është e pajustifikueshme. Mjafton të bëni një krahasim me Kosovën dhe do kuptoni sa mijëra kilometra larg jemi sa i takon standardeve të transparencës.
E sigurtë që sot në Shqipëri ka shumë me tepër apartamente sesa individë, jo familje. Shqipëria është projektuar për t’u shpopulluar nga njerëzit e saj dhe për t’u shndërruar në një parajsë për trafikantët, mafian botërore dhe natyrisht në një vend tërheqës për turistët.
Të jesh turist në Shqipëri është një gjë shumë e mirë, për shkak të klimës, ushqimit, detit dhe kulturash të tjera. Por ju e dini se cfarë tmerri është të jesh fermer, apo mësues në Shqipëri” tha ai.
Pas publikimit të rezultatve të censit 2023 për popullsinë dhe banesat, ka reaguar ish kreu i PD Lulzim Basha, duke e konsideruar procesin të mangët dhe jotransperent.
“Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti”, tha Basha.
Rezultatet janë kontestuar edhe Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian. Sipas kësaj partie, në këtë proces nuk janë zbatuar standardet ndërkombëtare dhe ato të Eurostatit. Madje ata kanë kërkuar ribërjen e procesit.
AMIE shton se në zonën e Prespës, Gorës dhe Gollobordës ku jeton minoritet maqedonas është bërë presion nga ana e Bullgarisë dhe janë dhënë pasaporta për qytetarët shqiptarë.