Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim elektoral me mbështetësit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Beratit, në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.
Nga atje Berisha ka deklaruar se kryeministri Rama sot “nuk ka kampe përqëndrimi apo skuadra pushkatimi”, por ka vendosur në vend “tiraninë e varfërisë”, pasi sipas tij kreu i qeverisë “vjedh ditë e natë qytetarët”.
Berisha shtoi më tej se vjedhjet kryhen pasi “rrugët ndërtohen me 24 milionë euro, kur në Evropë ndërtohen me 2-3 milionë”, dhe se “kryeministri udhëton me avion privat me dhomë gjumi duke shpenzuar 22 milionë euro”.
“Në mbarë vendin po fryn flladi i fitores, era e ndryshimit dhe rikthimi i demokracisë dhe rivendosja e pluralizmit. Ftoj qytetarët më 14 të votojnë për veten e tyre. Votat për veten e tyre në bindjen time më absolute është ajo për ndryshimin e Beratit dhe vendit. Votoni kundër pushteteve në duart e një njeriu, që edhe engjëll po të jetë shndërrohet në djall, po lëre kur është djall çfarë bëhet siç është Edi Rama.
Ky njeri sot nuk ka kampe përqendrimi apo skuadra pushkatimi por ka në dorë darën e tmerrshme të varfërimit të shqiptarëve duke i përzënë çdo ditë nga vendi i tyre. Ky njeri nuk ka burgje përqendrimi, por ka vendosur tiraninë e varfërisë. Varfëria po boshatis qytetet tona, varfëri që nuk vjen nga natyra por nga robi qeveritar që vjedh ditë e natë qytetarët sepse ndërton rrugën me 24 milionë euro kur në Evropë ndërtohet me 2-3 milionë euro. Ndërton shkollën me 6 milionë, kur në botë bëhet me 700 mijë euro. Vjedh sepse udhëton me avion privat me dhomë gjumi dhe shpenzon 22 milionë euro. Vjedh sepse ministrat e tij marrin prona publike si investitorë strategjikë në kundërshtim me ligjin. Pushteti i tyre përdoret për tendera familjarë dhe kjo sepse Edi Rama prin me këtë frymë”, u shpreh ai.