Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Konispol të Sarandës. Ai ka akuzuar kandidatin e PS-së për këtë bashki, Oltion Caci, duke thënë se vjen nga Durrësi me qëllim për të sjellë në Sarandë grupet kriminale.
Pjesë nga fjala e Berishës: “Po marrim kandidatët. Ja ku është zoti Cikuli, ja dhe zoti Shero. Ku është ai kandidati i Sarandës, asnjë socialist nuk e njeh. Ai vjen nga Durrësi me mision të kobshëm. Vjen për të sjellë këtu mafien e tmerrshme të Durrësit. Sepse e ndjen që Durrësin do e humbasin dhe fitoren e Igli Carës dhe kërkojnë zona që të vendosen.
Kandidati ka ardhur këtu pasi ka bërë shkollën e mafies së Durrësit. Kandidati i Patosit, e shoqja e tij me mandate arresti ndërkombëtar fshihet në Londër sepse ka vjedhur në Hipotekë tokat e Sarandës, kurse i shoqi kandidon në Patos. I ka dhënë valixhet me euro Edi Ramës me shokë dhe ka kanididuar. Shkon në Mirditë, kandidatin e rrahin brenda zyrës së vetë.
Ne në epiqendër kemi familjen. Kjo shoqëri që po rrokulliset, ka jetike rivendosjen e familjes shqiptare në epiqendër dhe mbështetjen e saj, konsolidimin dhe forcimin e saj. Rama me ideologjinë e Soros kërkon të shkatërrojë familjen. Ju e keni marrë vesh në Tiranë, Prindi 1 dhe Prindi 2. Në kopshte i thonë fëmijëve “çfarë gjinie dëshiron të jesh”. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë të shndërrohen në mirësi. Butrinti është një pasuri përrallore e rrallë jo në Europë, por në botë. Dy burra më kanë ndihmuar mua në atë kohë që merresha me Butrintin. Rama në Butrint ka realizuar aferën më të madhe korruptive”, u shpreh Berisha.
I pranishëm në këtë takim, ka qenë edhe kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili tha se PS nuk kishte asnjë vizion për zhvillimin e Sarandës përveç dhënies pa kriter të lejeve të ndërtimit.