Ai përmendi ato që i quajti ‘rekordet më të zeza të kësaj qeverie” për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Berisha theksoi se PD nuk qe e zonja të fitojë në asnjë nismë, përveç ligjit të dekriminalizimit në këto 8 vite.

“Sot po ndalem shkurtimisht në rekordet më të zeza të kësaj qeverie. Sot regjimi 8-vjeçar i Edi Rama i katandisi shqiptarët nga qytetarët me rrogat më të larta në rajon në qytetarët me rrogat më të ulëta në rajon. Më të ulëta se Kosova. Shkodra ka njohur arrestimet më të mëdha në ‘45-‘46 nga regjimi i Enver Hoxhës. Numri më i madh i arrestimeve ka qenë në 2014 ku u arrestuan 38 mijë qytetarë për faturat e dritave dhe të ujit. Çështjet civile nuk janë penale. Një skizoid që kishte pasion hekurat dhe burgun urdhëronte çdo ditë e natë arrestime. Askund në botë nuk arrestohet, pritet drita, pritet uji, por jo burgu. Pse në 8 vite Edi Rama ndërtoi gjithsej 34 km autostradë gjysmë të përfunduara sepse 8-fishoi çmimin e punimeve publike. 15-fishoi tenderët sekretë, ndërkohë borxhi ka kaluar 62.6% që ishte në mbi 80%.

Sistemi shëndetësor po shkon drejt shpartallimit dhe Shqipëria regjistron ndër rekordet më të larta të vdekjeve nga pandemia.
Me qindra shkolla janë mbyllur. Shqipëria është shndërruar në delen e zezë të Ballkanit dhe Europës. Çdo javë dëgjoni nga një rekord të zi për shqiptarët. Në vend se të ecnim drejt BE-së, me vështirësi, por me seriozitet, pa iu lut dhe pa ia shtrirë dorën njeriu, kërkojmë vlerësim, ne zbatojmë standardet, 8 vite në vend numëro. Sot jemi 10 herë më afër me Serbinë, se sa me Gjermaninë, Italinë, Francën apo BE-në. Pse integrimi me Serbinë ka qenë problemi ynë?
Ky për t’iu kundërvënë Nismës së Berlinit të cilën kancelarja që lë detyrën tani e ndërmori me qëllimin më të mirë… cili ishte qëllimi? Kishte dhe idera që me këta ballkanasit nuk kemi punë, t’iu japim, t’i ndihmojmë por brenda s’kemi pse i fusim. Berlini, kancelarja për të larguar këtë ide krijoi këtë proces. Këta silleshin në mënyrën më të papërgjegjshme. Ajo krijonte nismën e Berlinit, ky krijonte minishengenin e Novisadit, për hegjemoninë serbe në rajon.
Erdhi këtu kancelarja, përsëri ky në prani i thoshte, megjithëse ajo e mbronte nismën e Berlinit.
E njëjta gjë ndodhi me Von Der Layen. Kjo tjetra solli tanket në kufi të Kosovës.
Akti i Aleksandar Vuçic, rrethimi me tanke, një aventurier, ai e dinte se nuk bënte dot gjë se kishte të bënte me NATO-n.
Kanë ndodhur të gjitha këto e megjithatë Edi Rama nis mandatin e tretë. Nis mandatin e tretë sepse opozita shqiptare kaloi këto 8 vite nga dështimi në dështim. Në qoftë se ai nisi mandatin e tretë, përgjegjësi madhore bien mbi PD-në dhe opozitën shqiptare. Ajo nuk qe e zonja të fitojë në asnjë nismë, përveç ligjit të dekriminalizimit. Asgjë tjetër në këto 8 vite. Keni dëgjuar për ndryshimet kushtetuese, por më thoni se nga cila marrëveshje me Edi Ramën ka fituar PD këto 8 vite? Të gjitha i ka fituar Edi Rama”, deklaroi Berisha.

Ai iu bëri thirrje deputetëve demokratë që të mos pranojnë marrëveshje pa miratim nga Këshilli Kombëtar.

“Unë këtu në emrin tuaj dua t’iu them zotërinjve, hiqni dorë nga marrëveshjet, pa miratim paraprak nga Këshilli Kombëtar i PD. PD ka forume politike, asnjë hap nuk mund të bëni. Nga marrëveshja në marrëveshje, kemi shkuar nga turpi në turp, nga disfata në disfatë.
Numëruam për herë të parë në historinë e vendit, mandatin e tretë të Edi Ramës.
Ish-kryetari i PD-së doli dhe foli për masakrën zgjedhore, personalisht ua them Edi Rama abuzoi me votën më shumë se 30 vite, por ua them prapë me bindjen më të thellë, zgjedhjet nuk i fitoi PD. Në darkën e 25 prillit, dolën sondazhe, çfarë tregonin, vetëm 19% e atyre që kishin votuar PD-në, kishin votuar Bashën. Ishim pa udhëheqje.

Të nesërmen më erdhi njeriu i tij më i afërt, më tha çfarë thua me këtë. I tregova videon në të cilën dilte se vetëm 19% e votuesve kanë votuar për kryetarin e partisë. I kisha thënë në mënyrë të përsëritur, mos e bazoni fushatën tek kryetari. Natyrisht ia thanë atij, që ai na tha se ky ishte shkaku dhe ai ishte shkaku.
Pas kësaj zotëria deklaroi masakrën zgjedhore. E thirra i them shiko, është detyra më jetike që ne tua faktojmë komuniteti ndërkombëtar të gjitha pasoja e 160 mln eurove, të cilat 120 shkuan si para të thatë në kontot e dëmtimeve nga tërmeti. 60 i shkuan bashkive për asfalt. U përdorën banda, stërbanda, drogë e me radhë. U përdorën për herë të parë patronazhistët. Më kujton një film nga Amerika Latine me Maria Feliks, mësuese ku në një proces elektoral e vranë dhe mësuesin, patronazhistët. Patronazhistët janë sistemi që erdhën pas skllavopronarisë. E njëjta gjë është, të njëjtën gjë bënte sigurimi i shtetit.
Motrat e një deputeti i shkuan në mëngjes e thanë ‘vëlla nuk të votojmë dot se e fotografojnë votën nga sipër dhe na pushojnë nga puna’. Kryetari harroi votën tuaj, të qytetarëve dhe filloi të kujdesej për karrigen e tij. Si dolëm nga këto zgjedhje, të vjedhur dhe të tradhtuar. Edi Rama na vodhi votën, pengu i tij na tradhtoi, kapitulloi, nuk mbrojti votën. Në 2001 na ndodhi një gjë e tillë dhe nuk është se e kishim klimën në favor. Një demokrat që duhet t’i jemi mirënjohës pa kufi, kapi në një klub Fatos Klosin duke i dorëzuar një qese të madhe, një vëzhguesi. Edhe unë i çoj fjalë dhe i them o ti je agjent i Klosit, o i korruptuar i Klosit, i thashë po e çele gojën për këto zgjedhje të gjitha fotot do të dalin dhe ndërmorëm me të drejtë një veprim ndërkombëtar me dokumente dhe arritëm që PE të shprehet se parlamenti i Shqipërisë nuk shpreh vullnetin e popullit shqiptar. U vu në sanksione Fatos Nano. Arritëm të shndërrohet në çështje themelore, çështja e zgjedhjeve. Kësaj radhe zero, asnjë ndryshim raporti. Për çfarë të duhet komisioni hetimor, për të gënjyer njerëzit. Të shkoje në PE, në OSBE, në kancelaritë e Europës të thoshte, ja si i mori zgjedhjet. Tani vetëm po i bën furçe atij. Ndaj kjo është fund e krye tradhti ndaj jush, ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.

/Priza.al/