Ish-kryeministri Sali Berisha është ditën e sotëm në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në homazhet pranë Memorialit “2 Prill 1991”.
Gjatë fjalës për mediat Berisha vazhdon t’i bëjë thirrje për bashkim qytetarëve demokratë për të rrëzuar sa më parë qeverinë e kapur nga krimi.
“Të bëjmë gjithçka për t’i rikthyer votën e lirë shqiptarëve, për të cilën këta të rinj flijuan jetën dhe rininë e tyre,” thotë ndër të tjera Berisha.
Fjala e plotë:
“Ne nderojmë sot veprën e pavdekshme të martirëve të demokracisë që do jetojnë për jetë të jetëve në lirinë dhe votën e lirë të shqiptarëve.
Sot pas 31 vitesh të martirizimit të tyre, vota e lirë është tërësisht e konfiskuar nga sistemi kriminal i patronazhistëve, nga tregu kriminal i blerjes dhe shitjes së votës, nga bandat e qeverisë.
Martirët e 2 prillit sot më shumë se kurrë kanë një apel për të rinjtë shqiptarë, të vijojnë betejën e tyre për votën e lirë. Sot shqiptarët nuk përballen me një diktaturë staliniste por me një qeveri e cila sic faktohet cdo ditë përbën një organizatë të vërtetë kriminale.
Një qeveri e cila njëlloj si cdo organizate tjetër kriminale vjedh e plackit qytetarët, votë, liritë, pasuritë e tyre.
Kjo përbën një kushtrim një apel për çdo demokrat e demokrate, për cdo qytetar të bashkojmë forcat për të çliruar Shqipërinë te frymëzuar nga Shkodra, nga kjo klikë që nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e lirisë për të cilat u sakrifikuan martirët e Shkodrës.
Ndaj le të zotohemi ne para kujtimit, veprës së Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës, se do bëjmë gjithcka, se jemi të gatshëm për çdo sakrificë të rikthejmë votën e lirë shqiptarëve, për të cilën këta të rinj flijuan jetën dhe rininë e tyre.”