Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat nga selia blu, ka deklaruar se sot ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij paralajmëruan dhunë në protestën e 8 janarit.
Bardhi iu përgjigj edhe akuzave se kanë përfshirë emra personash të vdekur për mbledhjen e Kuvendit të 18 dhjetorit, duke thënë se nëse këto emra janë, atëherë të bëhen publike.
“Ajo që sot nuk e fshehu sot Sali Berisha është skenari i dhunës ndaj PD. Ashtu si edhe në të shkuarën me trafikantë droge ka shqyer derën e PD, edhe sot paralajmëroi akte dhune. Absurdi i protestës kombëtare që ka thërritur për hallin e vet Berisha, nesër kërkon ta kthej selinë qendrore të PD në një bunker për një person të shpallur non grata. Ne kemi kërkuar që Sali Berisha dhe kushdo që e mbështet të diskutonin në institucionet e partisë, të silleshin si pjesë e saj. Zgjedhja që kanë bërë është sjellja në mënyrë permanente si një celulë ilegale.
Sot erdhën dhe lëshuan një lumë me gënjeshtra dhe mashtrime. Ata janë tmerruar nga transparaenca që ka bërë PD në kuvendin e 18 dhjetorit. Thanë për emra që kanë vdekur dhe janë futur në listë. Kush janë këto? Të na i thonë. Kanë një muaj që kanë premtuar transparencë financiare për mitingun luksoz të 11 dhjetorit dhe sot fshihen. Janë tmerruar për banderolat në selinë qendrore të PD.
Kemi bërë transparencë të plotë të shumicës së anëtarëve të këshillit kombëtar. Kur ne bëmë publik emrat e anëtarëve të këshillit, ata u fshehën. Të njëjtën gjë bëri me transparencën që bëmë për Kuvendin. Pse? Sepse dje media demaskoi atë që i kishin prezantuar shqiptarëve si model, votimin në njësinë 8 në Tiranë. Ku individë që nuk ishin anëtarë partie kanë votuar sikur janë anëtar. Transparenca me prova dhe filmimet e medias, e shtynte të vinte në sallën e partisë për të lëshuar gënjeshtrën e radhës”, tha Bardhi.
/Priza.al/