Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se Sali Berisha po hakmerret ndaj tij pas vendimit për pezullimin e tij nga grupi parlamentare, ndërsa shtoi se ish-kryeministri po përdor këtë parti për t’u mbrojtur nga SHBA-të.
Lideri demokrat tha se askush nuk mund të fshihet pas PD-së dhe të dëmtojë këtë parti për interesa personale.
Pyetje: Ju para dy muajsh vendosët që ta pezullonit z.Berisha nga grupi parlamentar i PD pas kërkesës nga SHBA dhe vendimit të sekretarit Blinken për ta shpallur atë non grata. Me këtë fushatë dy mujore të z.Berisha kundër jush dhe paralajmërimeve të tij për të mbledhur Kuvendin e për të kandiduar për kreun e PD, a mendoni se është i mjaftueshëm akti juaj i pezullimit?
Basha: E kam shpjeguar qartë kontekstin e pezullimet të Berishës nga grupi parlamentar. Me atë që ka bërë këto dy muaj ka treguar qartë se atë që e ka nisur si lëvizje për gjoja demokraci, e ka sebep. Hakmarrje ndaj meje, mund ta them me gojën plotë. Ai se ka luftën me mua as për demokracinë e brendshme të PD, por me SHBA-të. Vendimi ka ardhur nga SHBA-të, të cilët e kanë përcaktuar si non-grata, të padëshirueshëm politikisht. PD nuk mund të jetë dhe nuk mund të funksionojë si mburojë për një person të shpallur non-grata, secildo qoftë ai. Askush s’mund të marrë dhe të kthejë PD si një bunker për interesat e veta. Ky është qëndrimi statutor i PD. Kjo ka qenë edhe kur Berisha ishte kryetar i PD. Nuk është detyrimi im si kryetar i zgjedhur me ‘një anëtar, një votë’. Ky është detyrim i çdo demokrati që mos të lejojë që PD të përdoret si mburojë për të cilit të fshihet kush është shpallur non-grata. Ai po përdor PD, ose një pjesë të saj si mburojë ndaj SHBA-ve. Unë dua t’jua them fare qartë se do të merret çdo vendim që është i nevojshëm që PD mos të kthehet në një bunker të interesave personale as të Berishës, as dikujt tjetër. Por do të vazhdojë të jetë alternativa e vetme e shqiptarëve ndaj këtij regjimi dhe pro SHBA-ve.
/Burimi: BW/