Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar këtë të premë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hilën.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se kandidati Zef Hila do bëjë gjithçka për ndryshim rrënjës të gjendjes në këtë bashki.
Berisha nuk i ka kursyer as kritikat ndaj qeverisë Rama, duke e akuzuar se në 8 vite vetëm ka vjedhur xhepat e qytetarëve.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Sot paraqesim kandidatin e koalicionin “Bashkë Fitojmë” Zef Hilën. Zef Hila dorëzoi mandatin duke vendosur të rikthehet tek ju pas në një proces , në Primare ju e votuat atë. Ju garantoj se Zef Hila kësaj radhe si kandidati i lirisë si një njeri që ju e besuat do të bëjë gjithçka për ndryshimin rrënjësor të gjendjes në këtë bashki. Kjo bashki me një mirë-administrim mund të ndryshojë me shpejtësi gjendjen e banorëve të saj me potencialet e mëdha që ka, të biznesit të bujqësisë, Vaut të Dejës dhe nën drejtimin e Zef Hilës do të shndërrohet në një nga bashkitë më të zhvilluara të vendit. Në këto zgjedhje ne vijmë me një entuziazëm.
Ky entuziazëm është premtimi i madh se 14 maji do të jetë dita e shumëpritur. Realisht zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë, janë zgjedhje me të cilat ne, më shumë se çdo zgjedhje tjetër firmosin për fatin e Vaut të Dejës, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. Sot siç e shihni krimi godet ku të dojë, kur të dojë. Në çdo fshat në çdo qytet, në çdo rrugë dhe qytet. Sot krimi vendos, në rrugë në parlament, qeveri, me prokurime dhe me çdo gjë. Sot siguria e qytetarëve është inekzistente. Ligji për ju nuk ekziston. Gjykatat nuk ekzistojnë sepse secili qytetar shqiptar për të marrë një të drejtë në gjykatë duhet të presë 7-10 apo 15 dhe kjo nuk është drejtësi. Çdo qytetar shqiptar duhet të paguajë sa frëngu pulën për të marrë drejtësi. 95 % e proceseve midis qytetarëve dhe narkoshtetit i fiton shteti me padrejtësi absolute. Sot ka një varfëri të frikshme dhe është gjithnjë në rritje.