Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama për shpenzime të mëdha për të darkuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Nga Bulqiza, Berisha tha se 10 mijë euro që përflitet se janë shpenzuar në një darkë, është rroga e 8 muajve për një kryeministër.
Duke u nisur nga këto zhvillime por edhe të tjera, Berisha tha se ka ardhur koha që t’ua presin biletën qeverisë.
Berisha: Revolucioni ynë ka një mision, përmbysjen e regjimit të Edi Ramës. Një regjim i cili nuk është armik i vetëm demokratëve, por i mbarë shqiptarëve. Nga viti 2014 deri në 2022-shin, nga ky regjim u larguan nga Shqipëria 938 mijë shqiptarë vetëm në BE. 80% nën moshën 32-vjeçare. Kurrë në histori, asnjë epidemi, luftë nuk ka shkretuar shqiptarët sa Edi Rama. Edi Rama, nga mëngjesi deri në darkë me balluket dhe stërballuket, nuk ka asnjë synim vetëm t’ju mashtrojë ju vetëm që të vjedhin.
Nëse i hidhni sytë Shqipërisë, ju them juve, pasuria më e madhe sot e shqiptarëve ndodhet në Bulqizë, edhe pse janë nxjerrë miliona tonë krom. Ndodhete në Bluqizë, Martanesh. Hidhni sytë këto vite, sikur dilni nga një luftë. Rrugë të shkatërruara, shkolla të mbyllura. Koha ka ndaluar për ju njerëz punëtorë, me intelektualë të fuqishëm dhe potenciale të mëdha.
Edhe rentën e hoqi. Sepse oligarkët i paguajnë atij ryshfetin, ua hoqi dhe rentën që duhet ta përfitonit me ligj për qytetin tuaj. Nuk vazhdohet me këta. Këta nuk kanë shpirt, s’kanë ndjenja. Si mund të mendojë për fëmijët në Ostrenë, apo në ndonjë fshat tjetër ai që darkon me armikun e SHBA-ve, 10 mijë euro darkën. Si mund të mendojë për fëmijët e Bulqizës Ballukja që porosit biftekun 1 mijë euro.
Një zyrtar kurrë nuk mund të lëshohet në luks dhe shfrenim. Nga i marrin të ardhurat këta. Nëse nuk vjedh, 10 mijë euro është rroga e 8 muajve e tij. 1 mijë euro është pothuajse rroga mujore e saj. Këta paratë i kanë të panumërta. Ka ardhur koha që t’ua presim biletën.